Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor SPAK-un si “lavatriçe” për të pastruar zyrtarët e tij nga përgjegjësia penale, duke iu referuar edhe çështjes së kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, deputeti Luçiano Boçi kritikoi vendimmarrjen e Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të standardeve të dyfishta të drejtësisë, me ashpërsi ndaj opozitës dhe tolerancë ndaj zyrtarëve të mazhorancës.
Boçi u ndal te çështja e Benet Becit, i cili akuzohet për shkelje në procedurat e tenderave gjatë kohës kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sipas deputetit demokrat, në telefonin e Ervis Berberit, ish-vartës i Becit dhe i arrestuar në kuadër të hetimeve për korrupsion, janë gjetur mesazhe që lidhen me ndarjen e kontratave.
Boçi:
Kur opinioni publik pret institucionet e drejtësisë që të operojnë, për dhjetra akuzat që i janë ngritur dhe i ngrihen çdo ditë Edi Ramës, SPAK bën një tjetër lëshim: pas Belindës fal edhe kreun e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Beci akuzohet për shkelje në tendera gjatë kohës kur ka qenë drejtor i KESH. Sa për kujtesë publikut, në telefonin e Ervis Berberit, të arrestuar për korrupsion me Belinda Ballukun, dikur vartës i Becit, u gjetën mesazhe që ky i fundit i dërgonte shefit për ndarjen e kontratave: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë”.
Bëhet fjalë për kontratat e blerjes së energjisë, të cilat shqiptarët, për shkak të Ramës, Becit dhe banditëve me kravatë të PS, i kanë paguar dhe paguajnë shtrenjtë në faturat e energjisë.
Në vend që Beci të merrte atë që meritojnë hajdutët dhe shpërdoruesit e parave publike, SPAK mjaftohet me akuzën e ‘pabarazisë në tendera’ dhe kërkon 2 vjet burg. Meqë burgu për njerëzit e Ramës është teprim, dënimi konvertohet në 4 vjet shërbim prove.
Ku ishim? Hiçgjëkundi! Çfarë bëmë? Hiçgjësendi!”
Benet Beci nuk është i vetmi. A nuk ishte SPAK-u që e bëri copë-copë dosjen e inceneratorëve? A nuk është ky institucion që po mban në kushte konvaleshence Mirlinda Karçanajn e AKSHI-t, apo Vlorë Hysenin e SHISH-it, megjithëse dyshohen për shpërdorim të qindra miliona eurove dhe lidhje me krimin e organizuar?
Ky institucion po fut në kalendat greke shpërdorimet e Ballukut, dosjen e Albanian Files, cështjen McGonigal, që nuk hetoi masakrat zgjedhore në vijim, e me radhë. Janë me dhjetëra raste ku SPAK-u ka mbyllur sytë para korrupsionit galopant të zyrtarëve të lartë, ndërkohë që nuk përton të kërkojë edhe 12 apo 13 vjet burg për ryshfete që nuk e kalojnë shumën 30 mijë lekë të reja.
Partia Demokratike ngre alarmin, jo për herë të parë, se Prokuriaa e Posacme nga ‘heronjë e fëmijëve tanë’ po kthehet në “heronj të fëmijëve të atyre që vjedhin fëmijët e Shqipërisë”.
A po e përdor Edi Rama SPAK si lavatriçe për të pastruar, me dënime minimale, të gjithë ata që, nën dirigjimin e kryeministrit, kanë vjedhur paratë dhe pasuritë publike?
Dita e drejtësisë, për këtë pushtet të korruptuar nuk do të vonojë, por nga kjo përgjegjësi nuk do të shpëtojnë as ata që, me urdhër politik apo për arsye të tjera, po i shërbejnë si varkë shpëtimi regjimit dhe veglave të tij.
Përsërisim thirrjen për organet e drejtësisë që të bëjnë detyrën për të cilën paguhen nga taksapaguesit.














