Qumështi i dhisë më i mirë se i lopës? Çfarë duhet të dini
Qumështi dhe kosi i dhisë po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet për vlerat e tyre ushqyese dhe faktin se disa njerëz i tresin më lehtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se janë automatikisht më të shëndetshëm se produktet e qumështit të lopës.
Qumështi i dhisë përmban proteina me vlerë të lartë biologjike, kalcium, fosfor dhe vitamina të rëndësishme për kockat dhe muskujt. Përbërja e yndyrave dhe struktura e proteinave ndryshojnë nga ato të qumështit të lopës, duke bërë që disa persona ta tolerojnë më mirë nga ana e tretjes.
Por ekzistojnë disa keqkuptime që duhen sqaruar.
A është pa laktozë?
Jo. Qumështi i dhisë përmban pothuajse të njëjtën sasi laktoze si ai i lopës, ndaj nuk është zgjidhje automatike për personat me intolerancë ndaj saj.
Po për personat alergjikë ndaj qumështit?
As këtu nuk përbën alternativë të sigurt. Proteinat e qumështit të dhisë janë të ngjashme me ato të lopës dhe mund të shkaktojnë reaksione alergjike të kryqëzuara.
A është një superushqim dhe ndihmon në uljen e kolesterolit?
Jo. Nuk ka prova të mjaftueshme për t’i cilësuar produkte superfood apo për t’u atribuar veti të veçanta në uljen e kolesterolit. Ndikimi në shëndetin kardiovaskular varet nga ushqyerja në tërësi, sasia e konsumuar dhe përmbajtja e yndyrave të ngopura.
Në përfundim, qumështi dhe kosi i dhisë janë alternativa ushqyese që mund të përfshihen në një dietë të ekuilibruar. Megjithatë, përfitimet e tyre nuk duhen ekzagjeruar, pasi toleranca dhe nevojat ushqimore ndryshojnë nga një person te tjetri.




