Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, ka pranuar se mungesa e Granit Xhakës do të ndihet në ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Skocisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Xhaka do t’i mungojë përfaqësueses zvicerane për shkak të lëndimit, ndërsa shiritin e kapitenit në dy përballjet e fundit të grupit B1 do ta mbajë Akanji.
Në konferencën për shtyp të së mërkurës, mbrojtësi foli për rëndësinë e Xhakës dhe dallimet mes tyre në rolin e liderit.
“Nuk jam i njëjtë si Graniti. Kemi cilësi të ndryshme. Ai është më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë, ndërsa unë ndonjëherë i lë gjërat të rrjedhin. Graniti merr përgjegjësinë më herët”, u shpreh Akanji.
Ai theksoi se skuadra do ta ndiejë mungesën e kapitenit, por shpreson që Xhaka të rikthehet për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2028.
“Do të na pëlqente shumë ta kishim këtu, por shpresojmë të kthehet për kualifikueset e Evropianit. Gjërat do të jenë pak më ndryshe atëherë”, deklaroi mbrojtësi zviceran.