Rreziku i përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut gjatë dimrit mblodhi në Lezhë Komisionin e Mbrojtjes Civile, ku u kërkua gatishmëri nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse për përballimin e situatave emergjente.
Në takimin e organizuar nga Prefektura e Lezhës morën pjesë përfaqësues të tre bashkive të qarkut dhe institucioneve përgjegjëse, të cilët diskutuan masat për përballimin e reshjeve të dendura të shiut, përmbytjeve dhe dëborës.
Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat, duke theksuar se qarku është një nga zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe se institucionet duhet të jenë të përgatitura për të ndërhyrë në kohë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua pastrimit dhe mirëmbajtjes së kanaleve kulluese. Përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Artur Topi, kërkoi që bashkitë të marrin masa për mirëmbajtjen e tyre, si dhe të sigurojnë mjetet dhe kapacitetet logjistike të nevojshme për ndërhyrje në rast emergjencash.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e tre bashkive raportuan mbi masat e marra dhe kapacitetet që kanë në dispozicion për përballimin e situatave të mundshme gjatë dimrit.
Në përfundim, u theksua nevoja për koordinim mes institucioneve dhe ndërhyrje në kohë për të kufizuar pasojat që mund të shkaktojnë reshjet dhe përmbytjet.










Komente
Komento