Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka paralajmëruar se Shqipëria mund të përjetojë zhvillime të ngjashme me ato në Serbi, nëse kërkesat dhe reagimet e studentëve nuk merren seriozisht nga politika. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Mediu u shpreh se “çdo gjë mund të ndodhë”, duke iu referuar situatës politike dhe protestave të studentëve.
Mediu tregoi edhe një bisedë që kishte zhvilluar gjatë një samiti me një deputet anti-Vuçiç në Serbi, i cili i kishte tërhequr vëmendjen për mënyrën se si autoritetet serbe fillimisht nuk i kishin marrë parasysh reagimet dhe kërkesat e studentëve. Sipas Mediut, kjo duhet të shërbejë si një paralajmërim edhe për Shqipërinë.
Ai theksoi se politika duhet të tregojë vullnet për të reaguar dhe se opozita nuk duhet të jetë e përçarë në shumë qëndrime, por të fokusohet te një qëllim i përbashkët: largimi i qeverisë. Kreu i republikanëve kërkoi gjithashtu që opozita të kalojë nga diskutimet për emrat te përcaktimi i objektivit dhe hapave konkretë për ndryshimin politik në vend. Gjatë intervistës, Mediu u ndal edhe te nevoja për kufizimin e mandateve të kryeministrit, duke propozuar që asnjë kryeministër të mos qëndrojë më shumë se dy mandate në detyrë. Mediu solli si shembull edhe një marrëveshje të republikanëve në SHBA, ku sipas tij ishte rënë dakord për kufizimin e qëndrimit në pushtet në vetëm një mandat. Sipas Mediut, kufizimi i mandateve do të ishte një mekanizëm për të shmangur përqendrimin e pushtetit dhe për të garantuar rotacionin politik.
“Duhet të kufizohet mandati i kryeministrave deri në dy mandate. Republikanët në SHBA, për shembull, kanë bërë një kontratë, ku u ra dakord që të rrinin vetëm me një mandat. Shqipëria mund të prodhojë edhe ato ngjarje që ndodhën në Serbi. Isha në një samit dhe deputeti anti-Vuçiç më tha se reagimet dhe kërkesat e studentëve nuk u morën parasysh që në fillim. Por unë them se gjithçka mund të ndodhë.
Duhet të tregojmë vullnet, nuk duhet të ndahemi në 100 pjesë. Fakti që përfaqësuesit e Partisë Republikane dhe ata të PD-së janë çdo ditë me studentët, tregon qëndrimin tonë. Unë jam pro studentëve, por parësore është Shqipëria. Duhet të kalohet nga emrat te qëllimi. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë se cilat janë hapat për të larguar këtë qeveri. Në 2017 nuk ishte qeveri teknike, por genjeshtër. Iku Rama kush do vijë? Ka plot të rinj e të reja”, tha ai.
