Teksa kryeqyteti vijon të tërheqë popullsi nga qarqet e tjera të vendit, numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se mesatarja kombëtare. Në nëntë muajt e vitit 2026, në qarkun e Tiranës lindjet u tkurrën me 8%, sipas të dhënave të INSTAT, teksa numri i lindjeve në shkallë kombëtare ra me -4.7%.

Kryeqyteti po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për familjet e reja. Rritja e fortë e çmimeve të apartamenteve dhe qirave, kostot e jetesës dhe shpenzimet më të larta për familjet me fëmijë po e bëjnë më të vështirë krijimin dhe zgjerimin e familjes, pavarësisht mundësive më të mëdha për punësim dhe të ardhura që ofron Tirana.

Sipas INSTAT, në 9-mujorin 2026, në Tiranë u regjistruan 647 lindje më pak, se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke e kthyer kryeqytetin në përcaktuesin kryesor të tkurrjes së lindjeve në vend.

Në të gjithë Shqipërinë u regjistruan 16.016 bebe nga janari në shtator 2026 ose 789 më pak lindje. Vetëm Tirana kontribuoi me rreth 82% të uljes neto në shkallë vendi. Në 11 qarqet e tjera së bashku, lindjet u pakësuan me vetëm 1,6%.

Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore ekonomike dhe e punësimit në vend, ku përqendrohen investimet, bizneset dhe një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që lëvizin nga qarqet e tjera. Por përfitimet nga mundësitë më të mëdha ekonomike po përballen me koston gjithnjë e më të lartë të jetesës.

Pengesa më e madhe për çiftet e reja është strehimi. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat nga puna, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë pa një kredi të konsiderueshme ose ndihmën financiare të familjes. Edhe qiratë përbëjnë një barrë e madhe për çiftet që kërkojnë të jetojnë më vete.

Sipas një përllogaritjeje të mëparshme të “Monitor”, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76,3% gjatë periudhës 2015–2025. Kjo do të thotë se, në raport me të ardhurat, blerja e së njëjtës banesë është bërë ndjeshëm më e vështirë sesa dhjetë vjet më parë. Ndonëse ky tregues është kombëtar, presioni i çmimeve të banesave është veçanërisht i ndjeshëm për familjet e reja që kërkojnë të jetojnë në Tiranë.

Blerja e një banese, 76% më e shtrenjtë në raport me të ardhurat se para 10 vitesh, rekord në Europë

Përveç strehimit, familjet e reja përballen edhe me shpenzime të larta për kujdesin ndaj fëmijëve, çerdhet dhe kopshtet private, transportin dhe shërbimet e tjera të përditshme. Në Tiranë distancat dhe koha e udhëtimit janë rritur, teksa organizimi i jetës familjare bëhet më i kushtueshëm dhe më i vështirë, veçanërisht kur të dy prindërit punojnë.

Këto presione ekonomike mund të ndikojnë në shtyrjen e vendimit për të pasur fëmijën e parë ose në kufizimin e numrit të fëmijëve. Një çift që duhet të përballojë një kredi të lartë për apartamentin, qiranë dhe shpenzimet e përditshme mund ta ketë më të vështirë të planifikojë zgjerimin e familjes.

Gjirokastra me rënien më të madhe, Dibra dhe Kukësi me rritje

Në shkallë vendi, rënia më e madhe në përqindje e lindjeve gjatë nëntëmujorit 2026 është regjistruar në Gjirokastër, me 11,6%. Numri i lindjeve në këtë qark zbriti në vetëm 191, nga 216 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas Gjirokastrës renditet Tirana me rënie prej 8%, e ndjekur nga Durrësi, ku lindjet u tkurrën me 7,6%, nga 1.729 në 1.598. Rënie më të moderuar regjistruan Shkodra (-3,2%), Fieri (-2,4%), Korça (-1,5%) dhe Vlora (-0,3%).

Në të kundërt, pesë qarqe regjistruan rritje të lindjeve. Dibra kryeson me një shtim prej 7,4%, nga 499 në 536 lindje, e ndjekur nga Kukësi me 5,6%, nga 376 në 397. Rritje të lehtë shënuan edhe Elbasani (1,6%), Berati (1,2%) dhe Lezha (1,1%).

Në qarqet e tjera, veçanërisht në ato që prej vitesh përballen me emigracionin dhe largimin e të rinjve, numri i lindjeve mbetet shumë më i ulët se një dekadë më parë. Rritjet e vogla të këtij viti nuk mjaftojnë për të ndryshuar prirjen afatgjatë.

Por zhvillimi më shqetësues është se edhe Tirana, e cila ka përfituar nga zhvendosja e popullsisë së qarqeve të tjera, po regjistron një tkurrje të shpejtë të lindjeve. Qyteti po tërheq njerëz për të punuar e jetuar, por kostot e larta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një jete familjare.

Nëse kjo prirje vazhdon, përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik në kryeqytet nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar rënien e lindjeve. Për familjet e reja, mundësitë e punësimit dhe niveli i pagave janë vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër është sa u mbetet nga të ardhurat pasi paguajnë strehimin dhe shpenzimet bazë të jetesës./Monitor