Kurti kërkon nga Franca mbështetje për statusin kandidat në BE

Kurti kërkon nga Franca mbështetje për statusin kandidat në BE

13:57, 11/11/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti këtë kërkesë e ka bërë gjatë një takimi në Asamblenë Kombëtare të Francës, ku bashkëbisedoi me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane.

Në fjalën hyrëse, Kurti foli për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e Francës për të ardhmen evropiane të vendit, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Ai tha se dialogu politik me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka hapur mundësi për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kurti përmendi edhe pesë marrëveshjet dhe instrumentet e nënshkruara në korrik, që përfshijnë dy marrëveshje për bashkëpunim juridik, një për mësimin e gjuhës frënge, kredinë prej 60 milionë eurosh për investime infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare, si dhe letrën e synimit për bashkëpunim për “Prishtina 2030”.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kurti tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është në pritje të hapit të radhës që nga dhjetori i vitit 2022.

“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova është e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të avancojë në procesin e anëtarësimit, ndërsa kërkoi ndihmën e Francës për sigurimin e vendimit nga Këshilli Evropian.

Gjatë diskutimit, kryeministri Kurti foli edhe përfshirë stabilitetin institucional dhe zhvillimet politike në rajon./ RTK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco