Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka parashikuar 2.5 miliardë lekë për organizimin e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, fond që sipas kryetarit Ilirjan Celibashi pritet të mbulojë nevojat e procesit zgjedhor. Celibashi bëri të ditur para Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se KQZ-ja ka dakordësuar financimin me Ministrinë e Financave dhe nuk parashikon vështirësi në organizimin e zgjedhjeve. Projekti i buxhetit për vitin 2027 parashikon 454.25 milionë lekë për funksionimin e KQZ-së, ndërsa vlera prej 2.5 miliardë lekësh është vendosur si kontingjencë e veçantë për zgjedhjet dhe nuk është pjesë e buxhetit institucional. Fondet për kontingjencën pritet të lëvrohen pas miratimit të ligjit për buxhetin, pas 1 janarit, sipas Celibashit.
Gjatë seancës u diskutua edhe mundësia e votimit dhe numërimit elektronik. Celibashi njoftoi se KQZ-ja ka kapacitete teknike për të realizuar votimin dhe numërimin elektronik në maksimum rreth 450 qendra votimi, me përcaktimin e vendimeve të detajuara për zgjerimin sipas bashkive dhe qarqeve. Zgjerimi i këtij modeli mbetet i kushtëzuar nga konsensusi politik: sipas tij, Partia Demokratike nuk është dakord me shtrirjen më të gjerë të numërit elektronik dhe KQZ-ja nuk ka detyrim ligjor për ta aplikuar atë pa një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës. Pa konsensus politik, institucioni nuk do të angazhojë shpenzime shtesë nga buxheti i shtetit për zgjerimin e teknologjisë.
Kreu i KQZ-së paralajmëroi gjithashtu se koha për marrjen e një vendimi për zgjerimin e votimit elektronik po mbaron, pasi çdo ditë shtesë e bën më të vështirë teknikanisht realizimin e tij, edhe në rast se më vonë arrihet konsensus politik. Pyetjet rreth kapaciteteve dhe nevojës për fonde shtesë u ngritën nga relatori Erion Mile gjatë raportimit të projektbuxhetit për vitin 2027. Top Channel.
