Shqipëria nis negociatat për Roaming-un europian, RTSH siguron dokumentin që zbardh kushtet

Ekonomi | 1 minutë më parë

Shqipëria ka nisur negociatat për përfshirjen në zonën europiane të roaming-ut. Komisioni Europian njoftoi hapjen e procesit me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pas miratimit në qershor nga Këshilli Europian të propozimit të komisionit të shkurtit të këtij viti.

Ndërsa ende nuk dihet se me çfarë objektivash ekonomike dhe teknike po hyn pala shqiptare në këtë proces, Televizioni Publik siguroi dokumentin që zbardh se çfarë do të negociohet juridikisht që do të sjellë uljen e tarifave si një efekt fundor.

Grupi i gjerë i aspekteve përfshin mbi përafrimin me rregullat europiane për çmimet mes operatorëve, edhe mbrojtjen e konsumatorit, kufijtë e përdorimit të drejtë, mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjes, kufizimet e tarifave me shumicë, pra çmimet që operatorët celularë i faturojnë njëri-tjetrit për përdorimin e rrjeteve, Rregullat për tarifat e përfundimit të thirrjeve, transparencën e tarifave, mekanizmat e mbikëqyrjes dhe zbatimit të rregullave nga autoritetet përkatëse, si dhe detyrimin për të vijuar përafrimin edhe në të ardhmen, sa herë që ndryshojnë rregullat europiane.

Efekti për konsumatorin në çmim në përfundim të procesit negociues mendohet të jetë i ndjeshëm.  Kur Këshilli Europian vendosi kufizimet për tarifat brenda zonës, jo më shumë se 19 cent minuti për thirrjet dhe 6 cent për mesazhet në maj të 2019, çmimi mesatar standard i një thirrjeje fikse ose mobile brenda BE-së ishte rreth trefishi i çmimit standard të një thirrjeje vendase.  Në Shqipëri, aktualisht, një paketë që përfshin përdorimin në BE mund të kushtojë rreth 2 900 lekë në muaj për 50 GB.

Përfitimi nga tarifa vendase do të prekë edhe qytetarët europianë në Shqipëri sidomos në klimën e rritjes eksponenciale të turizmit. Por një analizë që do të indikonte ndikimin në të ardhurat e operatorëve shqiptarë, në çmimet për konsumatorët dhe në konkurrencën në treg, nuk është bërë ende publike.

Një marrëveshje vullnetare e operatorëve të rajonit me operatorët europianë vepron në mënyrë jodetyruese për vitin 2026 me çmim orientues deri në 14 euro për gigabajt në dhe 9 euro nga viti 2028, që nuk është ende tarifa e regjimit europian. Negociatat nuk kanë një afat të shpallur për përfundimin. Përfitimi real do të vijë vetëm pas përmbushjes së kushteve dhe hapjes reciproke të tregjeve.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme