Protestat kundër qeverisë vijojnë edhe këtë të mërkurë, në ditën e 165-të të revoltës. Studentë dhe qytetarë janë mbledhur sot në një protestë kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama.
Marshimi nisi nga zona e stadiumit “Air Albania”, për të vijuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe më pas përpara Kryeministrisë, ku pritet të bëhen publike kërkesat e protestuesve.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe studentëve për bashkim, ndërsa theksojnë se nuk kërkojnë dialog me kryeministrin, por largimin e tij nga detyra.
Pak ditë më parë, grupimi “Studentët në protestë” njoftoi ndryshimin e strategjisë, duke vendosur që tubimet kombëtare të zhvillohen dy herë në javë. Çdo të mërkurë dhe të shtunë!
Ata akuzojnë qeverinë se ka shpërfillur kërkesat e tyre gjatë muajve të protestës dhe paralajmërojnë se do të vijojnë rezistencën. Grupimi studentor ka bërë gjithashtu të ditur se do të jetë në mbështetje të protestave të tjera qytetare kundër qeverisë, pa marrë parasysh datën apo orën kur ato organizohen.
Pas 150 ditësh protestë, studentët ndryshojnë strategjinë dhe marrin vendimin e fortë
