Zgjedhjet e 9 majit 2027 pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 2,5 miliardë lekë. Shifrën e zbuloi vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në Komisionin për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
“Viti 2027 është vit zgjedhor. Një pjesë e elementeve buxhetore që duhet të adresoheshin janë përfshirë në buxhetin për zgjedhjet. Rëndësia e procesit është kuptuar drejt nga Ministria e Financave dhe kemi gjetur mirëkuptimin për kërkesat tona. Vlera në dispozicion, 2,5 miliardë lekë, është brenda limitit që ne kemi menduar se do të arrijë financimi për zgjedhjet”, tha Celibashi.
Edhe në zgjedhjet vendore, KQZ-ja do të mbulojë vetëm 450 qendra votimi në të gjithë vendin me pajisjet për votim dhe numërim elektronik, por ende nuk është vendosur se në cilat bashki do të implementohet këtë herë.
Sa i takon shtrirjes në më shumë qendra votimi, Celibashi thotë se, për sa kohë nuk ka konsensus politik, votimi dhe numërimi elektronik me gjasë nuk do të zgjerohen as këtë herë.
“Është një çështje për të cilën i takon opozitës dhe mazhorancës të ulen dhe të gjejnë konsensus. Nëse nuk ka konsensus, nuk kemi pse të angazhojmë buxhetin e shtetit për ta shtrirë më tej. Duhet konsensus politik, por çdo ditë që kalon do ta bëjë të pamundur nga pikëpamja teknike”, theksoi ai.
Zgjedhjet vendore u caktuan me dekret të presidentit për më 9 maj 2027. Me ndryshimet që pësoi harta territoriale, votimet do të mbahen për herë të parë në 46 bashki, ndërsa krahas përgatitjeve teknike, partitë duken ende larg edhe nxjerrjes së kandidatëve.







Komente
Komento