Liverpool-Arsenal/ Premier League pranon gabimin e madh: Duhej të jepej penallti

Liverpool-Arsenal/ Premier League pranon gabimin e madh: Duhej të jepej penallti

12:14, 11/11/2026

Liverpooli është dëmtuar nga një vendim i gabuar i arbitrimit në humbjen 1-0 ndaj Arsenalit. Paneli i Incidenteve Kyçe të Ndeshjeve (KMI) i Premier League ka konfirmuar se skuadrës së Arne Slotit duhej t’i jepej një penallti pas ndërhyrjes së Jurrien Timber ndaj Alexander Isak.

Ngjarja ndodhi në minutën e 21-të të sfidës së zhvilluar më 1 nëntor në “Anfield”.

Gjatë një aksioni sulmues, mbrojtësi i Arsenalit kapi nga fanella sulmuesin suedez, i cili po përpiqej të arrinte një krosim nga krahu i djathtë.

Megjithatë, gjyqtari Andy Madley nuk akordoi penallti, ndërsa VAR-i, me Stuart Attwell në krye, vendosi të mos ndërhynte.

Sipas BBC-së, paneli i KMI-së votoi me rezultatin 4-1 se Liverpoolit duhej t’i jepej penallti në fushë.

Ndërkohë, me tri vota pro dhe dy kundër, u vlerësua se edhe VAR-i duhej të ndërhynte dhe ta ftonte gjyqtarin të rishikonte pamjet në monitor.

Dy anëtarë të panelit menduan se ndikimi i tërheqjes së fanellës ishte subjektiv dhe nuk përbënte arsye të mjaftueshme për ndërhyrjen e VAR-it. Megjithatë, shumica e konsideroi rastin një gabim të qartë dhe të dukshëm.

Paneli ishte unanim vetëm për faktin se Timber nuk duhej të ndëshkohej me karton të kuq, pasi ndërhyrja nuk plotësonte kriteret për mohimin e një mundësie të pastër shënimi.

Pas ndeshjes, trajneri i Liverpoolit kishte kritikuar vendimin e arbitrave, duke theksuar se Isak nuk u rrëzua pavarësisht tërheqjes së fanellës.

“Është e qartë se ai po ia mbante fanellën. Alex ishte përpara tij dhe po përpiqej të godiste me kokë drejt portës, por nuk mundi sepse ia kapi fanellën”, ishte shprehur trajneri.

Ai kishte ironizuar gjithashtu se nëse Isak do të ishte rrëzuar në atë moment, penalltia me shumë gjasë do të ishte akorduar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si gjykohen ndërhyrje të tilla në Premier League.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco