Një turist 61-vjeçar britanik ka humbur jetën gjatë një zhytjeje në rrënojat e anijes së famshme MS Zenobia, në brigjet e Qipros. Ai u gjet pa ndjenja nga instruktori i tij i zhytjes, në një thellësi prej rreth 30 metrash, në Gjirin e Larnakës. Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, ndërsa 61-vjeçari po eksploronte anijen e mbytur së bashku me një grup zhytësish.
Sipas mediave qipriote, instruktori e konstatoi turistin në gjendje të pavetëdijshme dhe menjëherë u dha alarmi për ndërhyrje emergjente. Britaniku u nxor në sipërfaqe dhe u transportua drejt bregut me një motoskaf të policisë. Më pas, ai u dërgua me ambulancë në një spital aty pranë, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Shkaqet e sakta të ngjarjes nuk janë bërë ende të ditura.
Tragjedia ndodhi në një prej destinacioneve më të njohura në botë për zhytjet në rrënojat e anijeve. MS Zenobia tërheq çdo vit deri në 45 mijë eksplorues nënujorë nga vende të ndryshme.
Anija, e ndërtuar në Suedi, u përmbys dhe u fundos në brigjet e Larnakës në vitin 1980. Mbetjet e saj ndodhen në thellësi që variojnë nga 50 deri në 140 metra nën sipërfaqen e detit, duke e kthyer atë në një atraksion të rëndësishëm për turistët dhe entuziastët e zhytjes që vizitojnë ishullin.
