Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë për ish-shefin e Forcave Operacionale, Oltion Bistrin, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite burg për disa vepra penale, përfshirë pastrimin e parave dhe korrupsionin pasiv.
Trupa gjykuese, me relator Dhimitër Lara dhe anëtarë Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi, vendosi të pranojë edhe akuzat për të cilat Bistri ishte rrëzuar në shkallën e parë.
Më herët, GJKKO e Shkallës së Parë e kishte dënuar ish-zyrtarin me 3 vite burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar ishte reduktuar në 2 vite. Në atë vendim, gjykata nuk e kishte gjetur fajtor për pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
Por Apeli i Posaçëm ka ndryshuar këtë qëndrim, duke e rënduar ndjeshëm pozitën e tij ligjore dhe duke caktuar një dënim prej 7 vitesh heqje lirie.
Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 1 milion euro, të cilat në vendimin e shkallës së parë i ishin kthyer Bistrit.
Arrestimi
Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik 2023, në kuadër të operacionit të SPAK-ut të njohur si “Metamorfoza”, një hetim i gjerë që goditi disa persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar.
Hetimet u mbështetën edhe në komunikimet e zbërthyera nga aplikacionet e enkriptuara SKY ECC dhe EncroChat, të siguruara përmes bashkëpunimit me autoritetet belge dhe holandeze.
Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, Bistri dyshohej se kishte përdorur pozicionin e tij në Policinë e Shtetit për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe sekrete mbi operacionet policore, duke ua përcjellë ato personave të lidhur me botën e krimit.
Në veçanti, në hetime u evidentuan komunikime të tij me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Sipas dyshimeve të prokurorisë, Bistri e kishte informuar Gjokën për operacionet e policisë kundër lojërave të paligjshme të fatit.
Përveç akuzave që lidhen me zbulimin e të dhënave sekrete dhe korrupsionin pasiv, SPAK nisi edhe hetime për pasurinë e ish-zyrtarit dhe familjarëve të tij.
Hetimet për pasurinë
Në maj të vitit 2024, me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO vendosi sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pasurish që dyshohej se nuk justifikoheshin me të ardhurat e ligjshme të Bistrit dhe familjarëve të tij.
Bëhej fjalë për apartamente, njësi tregtare, vilë, truall, garazh dhe automjet. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, vlera e pasurive të sekuestruara arrinte rreth 3.1 milionë euro.
SPAK dyshonte se pasuritë ishin krijuar me të ardhura nga veprimtari kriminale dhe ishin regjistruar, pjesërisht, në emër të familjarëve të tij për të fshehur pronësinë reale.













