Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 u bë shkak për debat mes deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet.
Hoti i kërkoi Qeverisë të marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin dhe të mbulojë plotësisht financimin e projekteve të domosdoshme, nëse Komuna e Prishtinës nuk arrin t’i realizojë ato.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Hoti iu referua Lojërave Mesdhetare si Lojëra Olimpike. Murati reagoi, ndërsa deputeti kritikoi përplasjet mes Qeverisë dhe komunës dhe kërkoi që ekzekutivi të marrë pronësinë e procesit.
“Lojërat Olimpike (Mesdhetare), me Komunën e Prishtinës “kërrsh” jeni bërë duke u shtyrë njëri me tjetrin. Duhet të marrësh pronësi, ti qeveri je”.
Hoti shtoi se Qeveria duhet të përfshijë në buxhet të gjitha fondet e nevojshme për Lojërat, edhe nëse Komuna e Prishtinës apo komunat e tjera nuk i sigurojnë ato. Ai tha se aktiviteti do të zhvillohet në vitin 2030 dhe se punimet duhet të përfundojnë tërësisht në vitin 2027 ose 2028.
Murati u përgjigj se fondet për Lojërat Mesdhetare janë parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Sportit. Megjithatë, sipas tij, lokacionet për ndërtimin e objekteve sportive për të gjitha disiplinat ende nuk janë përcaktuar.
“Tek çështja e Lojërave Mesdhetare, edhe këtu kemi situatën e ngjashme meqenëse ende nuk ka saktësim të lokacioneve për të gjitha sportet ku parashihet të ketë ndërtim”.
Ministri tha se fillimisht synohet të mblidhen informacionet dhe, pasi të qartësohen lokacionet, Ministria e Sportit mund të vijojë me zbatimin e projektit. Ai shtoi se është bërë përpjekje që shuma e plotë të përfshihet në buxhetin e kësaj ministrie.
Debati zhvillohet ndërsa përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 vijojnë të përballen me vështirësi, përfshirë nevojën për bashkërendim institucional dhe përfundimin në kohë të projekteve infrastrukturore.



