Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka folur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë për procesin e shërimit nga kanceri, duke zbuluar rolin e rëndësishëm që natyra ka luajtur gjatë kësaj periudhe të vështirë të jetës së saj. Në një intervistë për revistën Country Life, ajo ka ndarë reflektimet e saj pas diagnozës së marrë në vitin 2024, duke treguar se rikuperimi nuk ka qenë një proces i lehtë dhe i njëtrajtshëm.

Gjatë bisedës me autorin Robert Macfarlane, Kate kujtoi këshillën që kishte marrë nga mjekët në spital për ecurinë e shërimit.

“Në spital më thanë se shërimi im nuk do të ishte linear. Do të kishte ditë të mira dhe të këqija, dhe se do të duhej kohë. E njëjta gjë vlen edhe për Natyrën”, u shpreh Princesha e Uellsit. E pyetur se ku e gjen burimin kryesor të shpresës, ajo përmendi “mësimet që na jep Natyra”, të cilat, sipas saj, na kujtojnë se nuk jemi vetëm dhe se jemi të lidhur me diçka më të madhe se vetja.

Duke e cilësuar natyrën si një “mësuese të qetë” në momentet e vështira, Kate theksoi gjithashtu rëndësinë e njerëzve të besuar dhe të vendeve ku njeriu mund të gjejë paqe.

“Të kesh një ndjenjë lidhjeje, të kesh njerëz të besueshëm përreth dhe vende ku ndihesh në paqe mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme në kohë të vështira”, tha ajo. Në intervistë, Princesha e Uellsit foli edhe për mënyrën se si po rrit tre fëmijët e saj, princat George dhe Louis dhe princeshën Charlotte. Ajo tregoi se përpiqet t’u japë atyre lirinë për të zbuluar botën dhe për të krijuar përvojat e tyre, në vend që t’u diktojë vazhdimisht se çfarë duhet të shohin apo të mendojnë. Intervista vjen në një moment kur Kate po ndan më shumë reflektime personale për periudhën e sëmundjes dhe rikuperimit, duke theksuar rëndësinë e kohës, mbështetjes së njerëzve të afërt dhe lidhjes me natyrën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: