Arrestohet në Greqi shqiptari i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, i akuzuar nga autoritetet greke edhe për vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj
Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër dhe i akuzuar nga autoritetet greke për një tjetër vrasje të dyfishtë, është arrestuar në Greqi. Ai kishte arritur t’i shmangej identifikimit duke përdorur gjeneralitete të rreme, por u zbulua pas analizimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Policisë Shkencore shqiptare.
Policia e Shtetit njoftoi për finalizimin e një faze tjetër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Interpol Tiranës, Institutit të Policisë Shkencore dhe Policisë greke.
I arrestuari është Zef Preldakaj, alias Fran Preldakaj, 44 vjeç. Në Greqi ai përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen. Identiteti i tij u konfirmua përmes ekspertimit të të dhënave biometrike.
Preldakaj është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burg për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën u dënua ndodhi në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër të Shkodrës. Sipas hetimeve, ai dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, A. N. dhe B. D., shkuan në subjektin e dy vëllezërve, S. V. dhe S. V., me qëllim grabitjen e xhiros ditore.
Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën B. D., A. N. qëlloi me armë drejt të dyve, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Preldakaj, sipas hetimeve, qëndroi te dera e subjektit për të mbuluar dhe siguruar veprimet e dy bashkëpunëtorëve, ndërsa pas krimit u largua së bashku me ta.
Emri i tij është lidhur edhe me një tjetër ngjarje të rëndë në Greqi. Në vitin 2020, autoritetet greke e akuzuan për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti në Korinth.
Sipas Policisë së Shtetit, 44-vjeçari ka edhe precedentë të tjerë penalë në Greqi. Në vitin 2014 është evidentuar për grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët, në vitin 2013 për shkelje të ligjit mbi rregullimin e tregut të lojërave të fatit, ndërsa në vitin 2005 për posedim të lëndëve narkotike.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për të dokumentuar plotësisht përfshirjen e tij në veprimtaritë kriminale dhe për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



