Anëtari i Komisionit për Buxhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitet 2027-2029, duke thënë se dokumenti nuk paraqet një orientim të qartë strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk reflekton mjaftueshëm premtimet e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit, Hoti i ka drejtuar një sërë pyetjesh ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mënyrën se si janë planifikuar shpenzimet dhe investimet në sektorë të ndryshëm.
Ai ka thënë se buxheti nuk duhet të shihet vetëm si dokument financiar, por si instrument që përcakton drejtimin e ekonomisë, duke theksuar se rreth 32 për qind e të ardhurave kombëtare kalojnë nëpër duart e shtetit.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Edhe unë jam munduar me e pa atë pjesën e analizës tekstuale që është në fund të këtij dokumenti të madh, me pa sesa në aspektin strategjik qeveria e ka planifikuar këtë dokument të buxhetit për vitin 2027 edhe vitet e ardhshme, sepse rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria jua merr qytetarëve dhe bizneseve. Rreth 32% është vitin e ardhshëm. Pra është një e treta e të ardhurave kombëtare që e marrim, e merr shteti edhe e investon, e shpenzon në forma të ndryshme që është pak kryesisht përmes buxhetit ne i japim drejtim, ekonomik ose duhet t’i japim drejtim ekonomisë, sepse një e treta e rrjedhës së aktiviteteve ekonomike ne e marrim, e fusim në shtet”, deklaroi Hoti.
Sipas tij, këto mjete duhet të rikthehen në qarkullimin ekonomik përmes shpenzimeve që prodhojnë rezultate konkrete, në mënyrë që të mos orientohen drejt aktiviteteve joproduktive.
“Dhe ne duhet ta nxjerrim prapë në rrjedhë, në mënyrë që të rriten të ardhurat, mos ta shmangim një e treta e krejt aktiviteteve ekonomike edhe mandej çojmë në aktivitete që edhe në shpenzime që nuk prodhojnë ndonjë efekt”, u shpreh ai.
Hoti ka kritikuar mungesën e qartësisë për mënyrën se si buxheti synon të ruajë fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht përmes pagave, pensioneve dhe asistencës sociale.
“Dy ndarjet kryesore të buxhetit janë këto: shpenzimet korente edhe shpenzimet kapitale. Çka bëjmë me shpenzimet korente? Tek pagat, tek pensionet edhe tek mallrat. Për cilin duhet të jetë fokusi? E para është në ruajtjen e fuqisë blerëse, edhe tek pagat, në veçanti tek pensionet, asistenca sociale dhe skemat e ndryshme. Unë nuk shoh në këtë buxhet, në pjesën tekstuale edhe mandej të reflektuar në tabela, se si shpërndarja e pagave, e pensioneve, asistencë sociale dhe skemave të ndryshme e ka pasur për fokus ruajtjen e fuqisë blerëse”, tha Hoti.
Ai kërkoi gjithashtu sqarime se si shpenzimet për mallra dhe shërbime do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Tek shpenzimet për mallra, si sigurohemi ne që të rrisim cilësinë e jetës? Në mallra që blen prej barnave e materialeve në arsim, e materialeve brenda institucioneve, institucioneve të tjera”, deklaroi ai.
Hoti ka vënë në pikëpyetje edhe planifikimin në shëndetësi, duke kërkuar të dijë se çfarë synon të bëjë Qeveria me sigurimet shëndetësore dhe si do të ulet barra që qytetarët vazhdojnë ta përballojnë nga xhepi i tyre.
“Edhe mandej shpenzimet sektoriale, çka po duam me bë me shëndetësi? Mund të flasim për shifra të mëdha, po realiteti është krejt tjetër dhe unë do t’i tregoj po çka duam me bë me këto sigurimet shëndetësore? Çka duam me bë me u siguruar që njerëzit nuk shpenzojnë 40% të shpenzimeve shëndetësore totale që qytetarët i paguajnë prej xhepit vetë? Ne kot mund të themi që në spitalet tona publike shëndetësia është falas, por 40% e shpenzimeve që i kanë mesatarisht secila familje për shëndetësi i paguajnë vetë”, tha ai.
Kritika pati edhe për infrastrukturën. Hoti tha se, sipas tij, gjatë viteve të fundit nuk është përfunduar asnjëra nga arteriet kryesore rrugore, ndërsa kërkoi sqarime për projektet hekurudhore dhe lidhjen me Durrësin.
“Ose cili është, cili është plani strategjik i juaj në infrastrukturë? Ne nuk mund të vazhdojmë një dekadë të tan, një dy-tre vjet në qeveritë paraprake dhe gjashtë vjet në qeverinë tuaj, asnjë rrugë prej arterieve kryesore nuk është përfunduar. Nuk po hy te projektet individuale. Po cili është koncepti te infrastruktura? Kur do me i përfundu këto rrugë? Cili është koncepti juaj për hekurudha tash? Çka po bëhet me atë hekurudhën për Durrës? Pra cili është komplet buxheti për investime që janë në pjesën e infrastrukturës?”, pyeti Hoti.
Në sektorin e energjisë, ai tha se vendi po hyn në dimër pa një plan të qartë për rritjen e kapaciteteve prodhuese, duke përmendur edhe përballjen me reduktime të energjisë elektrike.
“Çka duhet me bë me energji? Shihni po hyjmë dimrin dhe ne tash prapë përballemi me reduktime elementare të energjisë elektrike. Dhe nuk ka koncept, nuk ka koncept fare se si do t’i rrisim kapacitetet energjetike në të ardhmen. Pra ky është planifikimi strategjik që duhet të ndodhë në buxhet”, deklaroi ai.
Hoti tha se këto çështje duhet të përfshihen në dokumentin buxhetor dhe të shoqërohen me objektiva të matshme për vitet e ardhshme.
Kërkon që buxheti të reflektojë premtimet e Qeverisë
Në vazhdim të diskutimit, Hoti e krahasoi projektbuxhetin me zotimet e paraqitura nga kryeministri gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, më 13 shtator 2026.
Ai theksoi se dokumenti përfshin periudhën 2027-2029 dhe se, për këtë arsye, një pjesë e madhe e mandatit qeverisës duhet të pasqyrohet në planifikimin buxhetor.
“Po këto janë idetë e mia qysh unë jam munduar kur kam qenë, për aq sa kam pasur mundësi me i përgatitur buxhetin dhe me prezentuar para deputetëve. Tani, po e lëmë atë pjesë. Po nisem me krahasuar këtë dokument të buxhetit me premtimet e juaja. Ju çka keni premtuar? Ju çka dëshiroj unë si opozitar, po ju çka keni premtuar? Çka keni premtuar ju nga mandatari tash kryeministër i vendit, me 13 shtator 2026 kur është votuar qeveria në kuvend? Keni dhënë program, s’keni pru në kuvend, por në fjalën hyrëse të mandatari kur e ka marrë mandatin për me qeverisur për katër vitet e ardhshme, i ka listuar objektivat e qeverisë së zvendë edhe i ka listuar, në shumicën e rasteve janë projektet konkrete nëpër fusha të ndryshme”, tha Hoti.
Ai kërkoi që zotimet e paraqitura në Kuvend të reflektohen pothuajse tërësisht në buxhetin trevjeçar.
“Edhe unë tash kam, sepse buxheti është trevjeçar: 27, 29, dhe ashtu si keni si keni prezentuar, duhet të planifikon të gjitha projektet edhe në vitin 2029. Pra gati është i përfshirë i gjithë mandati juaj në këtë plan që i bjen. Premtimet e dhëna me 13 shtator 2026 në seancën e kuvendit duhet të jenë 99% të reflektuara në këtë dokument. Po cilat janë ato?”, pyeti ai.
Murati: Jo të gjitha zotimet mund të përfshihen në buxhetin 2027-2029
Në përgjigjen e tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se jo të gjitha zotimet e Qeverisë mund të përfshihen në ndarjet buxhetore për periudhën 2027-2029, pasi mandati qeverisës përfshin edhe vitin 2030.
“Sa i përket ndarjeve buxhetore nuk mund të them të gjitha, por, shumica, sepse, ky buxhet nuk shkon deri në fund të mandatit, ka edhe viti 2030 është viti i mandatit tonë. Kështu që, jo të gjitha mund të jenë të planifikuara. Një pjesë e madhe e atyre që planifikohen të realizohen nuk kanë të bëjnë me ndarje buxhetore. P.sh programi 1 miliard euro garanci për investimet në prodhim, nuk është çështje buxhetore, atë shumë shpejt do e keni projektligjin për lëshimin e garancisë sovrane”, deklaroi Murati.
Ai shtoi se ndryshimet ligjore mund të shoqërohen me rishikim të buxhetit në rastet kur ndikimi në të hyrat e shtetit është i konsiderueshëm. Megjithatë, sipas tij, nismat e tilla nuk pritet të sjellin ulje të të hyrave, por mund të nxisin investimet.
“Sa herë që ka ligj që ndryshohet, e parasheh edhe ligji, nëse ndikimi në të hyrat është aq i madh mund të ketë edhe rishikim buxhetor, mirëpo nuk e konsiderojmë që kjo ndikon në ulje të të hyrave, përkundrazi, mund t’i rrisë investimet”, tha ministri.
Murati përmendi edhe projekte që, sipas tij, nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndarje nga buxheti i shtetit, duke marrë si shembuj Brezovicën dhe Aeroportin e Prishtinës.
“Pastaj çështja si Brezovica, p.sh. aeroporti kur është dhënë me koncesion nuk ka qenë në buxhet, sepse nuk ka investuar shteti aty”, tha ai.
Përplasen për shtesat e fëmijëve
Gjatë diskutimit, Murati iu referua edhe një debati të mëhershëm me Hotin për shtesat e fëmijëve. Ministri ka shtuar se në vitin 2021, gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin vijues, Hoti kishte vënë në dyshim realizimin e tyre, pasi ato nuk ishin përfshirë në dokument.
“Më kujtohet që edhe në vitin 2021, kur e pata sjellë buxhetin për vitin vijues, njëri nga komentet, vërejtjet e deputetit Hoti kanë qenë se në buxhet nuk janë të përfshira fare shtesat e fëmijëve. Kësisoj, konkludimi i tij pat qenë se këto nuk do të bëhen, nëse mund t’ju citoj saktë”, u shpreh Murati.
Hoti reagoi menjëherë, duke kundërshtuar mënyrën se si ministri po ia atribuonte deklaratat e mëhershme.
“Kurrë nuk mund të më citosh. Çka të flet ti e shtrembëron”, reagoi Hoti.
Murati tha se çështjet që lidhen me projekte konkrete dhe iniciativa individuale duhet të diskutohen në komisionet parlamentare përkatëse, me ministrat përgjegjës për secilin sektor.
“Pra, sa i përket çështjeve individuale, projekteve individuale, ju ftoj që të shkoni në komisionet përkatëse të linjave në mënyrë që të diskutoni me ministrat, sepse buxheti shqyrtohet edhe në ato komisione. Pra, shkoni në ato komisione, pyetjet që i keni mund t’i bëni aty. Unë mund të flas për tërësinë buxhetore, për politikat në tërësi, kornizën buxhetore, mirëpo sa i përket projekteve, iniciativave individuale, mund t’i diskutoni me secilin ministër, sepse ata janë më kompetentë dhe dinë më mirë zonën. E dinë shumë më mirë zonën për fushën e vet që e mbulojnë. Unë nuk mund t’ia përgjigjem për fushat e tjera”, tha Murati.
Në fund, ministri foli edhe për Fondin Zhvillimor të Veriut, duke thënë se ai buron nga marrëveshja e arritur në Bruksel më 2013, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
“Fondi zhvillimor i veriut është rezultat i një marrëveshjeje në Bruksel e vitit 2013, dhe ajo marrëveshje është ratifikuar, mbase nuk e di nëse keni qenë deputet dhe keni votuar për ratifikimin e saj, por është ratifikuar edhe nga votat e deputetëve të LDK-së. Nuk mund të zhbëhet njëanshëm nga Kosova”, shtoi Murati./EO