Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve, ulen lehtë nafta dhe benzina
Bordi i Transparencës ka caktuar çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend. Nga sot, 11 nëntor, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 205 lekë për litër, ndërsa benzina me 164 lekë për litër, me një ulje prej 3 lekësh të dyja.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me shumicë për gazoilin është përcaktuar në 193 lekë për litër, ndërsa për benzinën në 152 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 16 shtator 2026 dhe aktet ligjore përkatëse.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve tavan, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se synojnë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
NJOFTIMI I PLOTË
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 11 Nëntor 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 205 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 193 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 164 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 152 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



