“Betejën ta bëjë vetë”, Balla i përgjigjet Veliajt për të marrë pjesë në Asamble: E kam mik, por të mos fshihet pas grushtit dhe trëndafilit të PS Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për Reformën Zgjedhore.
Pas Konferencës së Kryetarëve, ai renditi katër çështjet kryesore: depolitizimin e komisioneve zgjedhore, mbulimin mediatik të fushatave, përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe financimin e partive politike. Balla kërkoi dakordësi për ndryshimet ligjore, duke rikthyer në vëmendje edhe formulën e depolitizimit të diskutuar në vitin 2020.
“Ju jeni dëshmitarët më të shpeshtë të komunikimeve tona publike, ku janë thënë angazhimet për të pasur një reformë zgjedhore. Reforma ka katër çështje.
Për reformën zgjedhore, e para është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar 6 vite dhe mund ta kishim bërë këtë. Nuk mund ta kenë vetëm PS dhe PD kontrollin e plotë të procesit, nuk mund të kemi nga një përfaqësues për parti. E dyta është mbulimi mediatik i fushatave. E treta është çështja që lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje. Edhe kjo duhet adresuar, për të cilën, siç e tha Gjiknuri, nëse opozita nuk do ta adresojë, qeveria do të ndërhyjë me vendime të Këshillit të Ministrave. E treta është pjesa e financimit të partive. Këtu jemi pa fjalë. Unë jam këtu që nga viti 2017. Një draft është gati që në 2017. Do të mund t’ju sot them që drafti është pothuajse gati. Ne nuk do të shpikim rrotën, por do të marrim shembujt më të mirë nga shtetet e tjera që përshtaten me situatën aktuale në Shqipëri. Ka pasur dhe një lexim nga Komisioni i Venecias. Nuk ka ekspertizë më të mirë se Komisioni i Venecias.
Por PD ka një muaj që ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe unë i ftoj që të heqin dorë nga bojkoti dhe të vijojmë jetën normale parlamentare. Kur vjen në Kuvend, nxjerr flakadan dhe godet me bidona kryetarin e Kuvendit, përjashtohesh. Kjo ndodh në çdo shtet.
U bëj thirrje të reflektojnë, që nga seanca e ardhshme për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit, prej 10 miliardë eurosh.
Ulet TVSH-ja nga 20 në 6%, gjë që do të ketë impakt të madh në vend.
Gjithashtu, data 30 nëntor është afati i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk do të ketë shtyrje. Për ligjin e financimit nuk thuhet askund që duhet të miratohet me konsensus. Konsensusi është 84 vota në Kuvend dhe ne i kemi këto 84 vota. Pas 30 nëntorit ne do ta miratojmë, duan apo s’duan ata. Askush nuk e ndalon dot agjendën e Shqipërisë drejt BE-së.
Unë ende shpresoj që do të ketë një reflektim nga PD-ja, si forca më e madhe opozitare. Por duhet të kuptoni që ligji i financimit të partive duhet të miratohet brenda Krishtlindjeve nga Parlamenti. Po deshët, hajdeni t’ua tregoj në zyrën time, është kërkesë e BE.
Imagjinoni tani, Sali Berisha vjen dhe merr formën e një studenti 82-vjeçar, që të duket sikur po përfaqëson protestën. Këto lojëra me ne nuk i bëjnë dot”, tha Balla.
Pas deklaratës të Ballës ka reaguar, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili ka shprehur se Opozita nuk e ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Zgjedhores, sipas tij mazhoranca po tenton të devijojë dhe pengojë punën e komisionit duke zhvendosur vëmendjen në çështje dytësore që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta.
“Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm.
Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ky fokusim në çështje që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta po zvarrit procesin dhe po pengon përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është përcjellë për vlerësim urgjent Zyrës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e këtyre institucioneve kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre të plota. Qëndrimi i opozitës është i qartë: të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e tyre duhet të reflektohen plotësisht në tekstin e projektligjit. Ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar dhe projektligji nuk mund të ecë përpara pa adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Opozita do të vijojë të insistojë që Reforma Zgjedhore të përmbushë jo thjesht një detyrim formal apo procedural, por standardet dhe kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian: rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor, garantimin e konkurrencës së ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Reforma Zgjedhore duhet të prodhojë garanci reale për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, jo të shndërrohet në një proces formal që shmang adresimin e problemeve themelore të demokracisë zgjedhore në Shqipëri”, tha Bardhi.
Top Channel