Pas thirrjes së Taulant Ballës që opozita të ndalë bojkotin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka mohuar akuzat e socialistëve, duke deklaruar se opozita nuk ka bojkotuar asnjë mbledhje të komisionit.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se përfaqësuesit e opozitës kanë qenë të pranishëm në çdo mbledhje të thirrur, ndërsa akuzon mazhorancën se po përpiqet të devijojë procesin dhe të zhvendosë vëmendjen drejt çështjeve dytësore, në vend që të trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Sa i përket financimit të partive politike, Bardhi bën të ditur se drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është dërguar për vlerësim urgjent OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Sipas tij, këto institucione kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre, të cilat duhet të reflektohen plotësisht në projektligj përpara se ai të vijojë më tej.
Kreu i grupit parlamentar demokrat nënvizon se Reforma Zgjedhore nuk duhet të jetë një detyrim formal, por duhet të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, konkurrencë të drejtë politike dhe rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm.
Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ky fokusim në çështje që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta po zvarrit procesin dhe po pengon përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është përcjellë për vlerësim urgjent Zyrës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e këtyre institucioneve kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre të plota. Qëndrimi i opozitës është i qartë: të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e tyre duhet të reflektohen plotësisht në tekstin e projektligjit. Ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar dhe projektligji nuk mund të ecë përpara pa adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Opozita do të vijojë të insistojë që Reforma Zgjedhore të përmbushë jo thjesht një detyrim formal apo procedural, por standardet dhe kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian: rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor, garantimin e konkurrencës së ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Reforma Zgjedhore duhet të prodhojë garanci reale për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, jo të shndërrohet në një proces formal që shmang adresimin e problemeve themelore të demokracisë zgjedhore në Shqipëri.”
