Kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka debatuar me socialistët në Konferencën e Kryetarëve ku ka kërkuar tërheqjen e akteve normative për tubimet. Blushi thotë se qeveria kërkon të udhëheqë me dhunë, ndërsa kritikoi Niko Peleshin për heshtjen e tij lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve.
“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeaxhenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve. Dhunën po e dënojnë edhe eurodeputetë, ndërsa Kryetari memec i Kuvendit nuk reagon. Po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj. Futja e akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj shumice që kërkon të qeverisë me shkopinj e plumba gome”, tha Blushi.
Akuza hodhi edhe drejt Taulant Ballës për reformën zgjedhore, për të cilën kreu i grupit socialist tha se nëse opozita vijon bojkotin, do të shkojnë në Kuvend me propozimet e tyre. Blushi përsëriti kushtet për hapjen e listave të votimit, ngritjen e qeverisë teknike dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.
“Me qëndrimin tënd për Reformën Zgjedhore provove se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ti je një provokator i ulët që mbron në këtë Kuvend interesat e klaneve kriminale. Kryeaxhenda e Komisionit të Reformës të jetë vetëm hapja 100% e listave, Qeveria Teknike dhe President nga populli. Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive, duhet t'i zgjedhë populli”, tha Blushi.
Lajmi kryesor:
‘Zgjedhorja’, Balla: Opozita të ndërpresë bojkotin e jetës parlamentare, do ta miratojmë të vetëm ligjin për financimin e partive nëse kalon afati (VIDEO)




