Falsifikonin dokumente të shteteve të BE për t’i shitur, arrestohen 2 persona në Tiranë, sekuestrohen 1700 euro dhe karta polake e austriake
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i përdorimit të metodave hetimore speciale dhe bashkëpunimit me gazetarët e emisionit “Piranjat”, finalizuan operacionin e koduar “Imitimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit H. B., 22 vjeç dhe B. M., 22 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas prodhonin dhe shitnin dokumente false të shteteve të BE-së.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi polake, 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara, si dhe 1700 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e dokumenteve false, 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, dhe në drejtimin e saj, Policia e Tiranës vijon hetimin për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit “Piranjat”, për bashkëpunimin, dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar konform detyrave funksionale, për çdo rast të paraqitur nga media.




