Spanja në grevë të përgjithshme për herë të parë në 14 vjet, shkak kriza e banesave

Punonjësit në të gjithë Spanjën nisën sot grevën e parë të përgjithshme në 14 vjet, në një protestë masive kundër krizës së përballueshmërisë së banesave, më pak se tri javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.
Greva mbështetet bashkërisht nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, UGT dhe CCOO, si dhe nga organizata të tjera të punonjësve dhe shoqata të qiramarrësve, të zemëruara nga rritja e qirave dhe dëbimet nga banesat.
Sipas Bankës së Spanjës, vendit i mungojnë rreth 750 mijë banesa dhe ky deficit pritet të tejkalojë një milion deri në vitin 2028.
Ndërsa gjithnjë e më pak njerëz kanë mundësi të blejnë një banesë, kërkesa për qira është rritur ndjeshëm. Sipas Këshillit Rinor të Spanjës, qiraja mesatare prej 1,176 eurosh përbën rreth 98.7% të pagës mesatare mujore të një të riu.
“Jam 36 vjeç dhe ende nuk mund të jetoj më vete”, tha Jesus Gonzalez, banor i Madridit, i cili punon në departamentin e teknologjisë së informacionit të një spitali. “Qiratë vetëm rriten, çmimet e banesave vetëm rriten dhe është thjesht e pamundur”.
Kryeministri Pedro Sánchez shpreson të shfrytëzojë pakënaqësinë e votuesve për strehimin në zgjedhjet e 29 nëntorit, duke zhvendosur vëmendjen nga një sërë çështjesh korrupsioni që përfshijnë rrethin e tij të ngushtë dhe nga një aksident fatal hekurudhor muajin e kaluar. Megjithatë, Partia Socialiste vazhdon të mbetet pas në sondazhe.
Pjesëmarrje deri në 90% në porte dhe fabrikat e automobilave
Sindikatat raportuan pjesëmarrje të pabarabartë në grevë, me mbështetjen më të fortë në rajonet bregdetare, përfshirë Katalonjën, Andaluzinë dhe bregdetin kantabrik, ku kriza e strehimit është veçanërisht e rëndë.
Sipas UGT dhe CCOO, pjesëmarrja fillestare arriti në 90% në porte dhe industrinë e automobilave, me ndërprerje të plotë të punës në fabrikën e Volkswagen në Navarrë dhe atë të SEAT në Barcelonë.
Pjesëmarrja arriti në 85% në industrinë e mishit, 82% në mbledhjen e mbetjeve dhe 75% në energjetikë, ndërsa ishte më e ulët në shëndetësi dhe shërbimet sociale, me 38%, dhe në shërbimin postar, me 35%.
Sindikatat raportuan gjithashtu një rënie prej 10% të kërkesës për energji elektrike, ndërsa një pjesë e madhe e industrisë petrokimike, përpunimit të çelikut, ushqimeve dhe transportit ndërpreu aktivitetin.
Në Madrid, tensionet u përshkallëzuan pranë tregut të shumicës Mercamadrid, ku u mblodhën rreth 1,000 protestues. Sindikata CCOO deklaroi se policia përdori spraj me piper, arrestoi një protestues dhe 13 persona patën nevojë për ndihmë mjekësore. Policia konfirmoi arrestimin, por jo përdorimin e sprajit në atë vend.
Dhjetëra protestues u përpoqën gjithashtu të pengonin daljen e autobusëve nga depot e Madridit. Në Andaluzi, televizioni Canal Sur ndërpreu transmetimin e lajmeve të mëngjesit në shenjë proteste.
Kriza e banesave, në qendër të betejës elektorale
Greva pason disa javë demonstratash të nxitura nga dëbimi nga banesa dhe vdekja e mëvonshme e një gruaje 87-vjeçare në Madrid.
Protestat dhe rrëzimi nga parlamenti i dekreteve qeveritare për kufizimin e dëbimeve dhe presionit mbi qiratë e shtynë Sánchez të shpallte zgjedhje të parakohshme.
Qeveria fajëson kryesisht opozitën e djathtë, që drejton shumë rajone dhe bashki, për rritjen e qirave dhe mungesën e banesave. Por sindikatat dhe protestuesit mbajnë përgjegjëse edhe qeverinë qendrore, si për krizën e strehimit, ashtu edhe për aksidentin e dytë fatal hekurudhor të këtij viti. / Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









