Kombëtarja shqiptare përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, atë kundër Finlandës, por për trajnerin Silvinjo Maran ekziston edhe një tjetër shqetësim. Plot shtatë futbollistë të kuqezinjve rrezikojnë të humbasin ndeshjen e fundit të grupit ndaj Bjellorusisë, nëse ndëshkohen me karton të verdhë të enjten.
Në listën e lojtarëve që duhet të bëjnë kujdes bëjnë pjesë emra të rëndësishëm në çdo repart. Në mbrojtje rrezikojnë kapiteni Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Stavro Pilo, ky i fundit në një formë mjaft të mirë, pas paraqitjeve dhe golave të shënuar në Champions League ndaj Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Në mesfushë, futbollistët që duhet të shmangin kartonin janë Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani, ndërsa në repartin ofensiv i vetmi në këtë situatë është Myrto Uzuni. Në listë përfshihet edhe portieri Alen Sherri.
Ndërkohë, Shqipëria shihet si favorite në letër përballë Finlandës. Kuqezinjtë renditen në vendin e 66-të në klasifikimin e FIFA-s, nëntë pozicione më lart se kundërshtarët, që mbajnë vendin e 75-të.
Megjithatë, historia e përballjeve direkte nuk është në favorin e Shqipërisë. Në tetë ndeshjet e zhvilluara mes dy përfaqësueseve, kuqezinjtë kanë regjistruar vetëm dy fitore, një barazim dhe pesë humbje.
Përtej rëndësisë së tri pikëve në garën për kreun e grupit, stafi teknik duhet të menaxhojë me kujdes edhe disiplinën e lojtarëve, pasi një karton i verdhë mund të kushtojë mungesën e një titullari në sfidën vendimtare ndaj Bjellorusisë, më 15 nëntor.
