Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që seanca fillestare ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e caktuar për të enjten, më 12 nëntor, të mbahet pa praninë e publikut.
Vendimi, të cilin e ka siguruar Dukagjini, është marrë më 10 nëntor nga gjyqtarja Selvije Morina Zejnaj, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte kërkuar që publiku të përjashtohej nga i gjithë shqyrtimi gjyqësor, me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe fëmijës së tyre të mitur.
Në arsyetimin e aktvendimit, gjykata ka theksuar se publiciteti është një nga parimet themelore të procedurës penale, por se ai nuk është i pakufizuar.
“Gjykata fillimisht vlerëson se parimi i publicitetit të shqyrtimit gjyqësor përbën një nga parimet themelore të procedurës penale dhe garanton transparencën e veprimtarisë gjyqësore, si dhe besimin e publikut në administrimin e drejtësisë. Megjithatë, ky parim nuk ka karakter absolut”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës, në këtë rast, vepra penale për të cilën është ngritur aktakuza, “Kanosja”, dyshohet se është kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare dhe ndaj një anëtari të familjes. Për këtë arsye, gjatë shqyrtimit pritet të trajtohen rrethana që lidhen drejtpërdrejt me jetën private dhe familjare të personave të përfshirë.
Gjykata ka vlerësuar se edhe provat e propozuara për administrim përmbajnë të dhëna të ndjeshme, përfshirë deklarime personale, raporte të bashkëbisedimeve me fëmijën e mitur dhe një raport psikologjik.
“Prania e publikut gjatë trajtimit të këtyre rrethanave dhe administrimit të provave të lartcekura do të mund të rezultonte në ekspozimin e panevojshëm të çështjeve që i përkasin sferës private dhe familjare të personave të përfshirë në procedurë”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Një rëndësi të veçantë gjykata i ka kushtuar mbrojtjes së fëmijës së mitur, duke theksuar se privatësia dhe mirëqenia e tij duhet të mbrohen gjatë zhvillimit të procedurës.
“Gjykata, në këtë kontekst, i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe interesit më të mirë të fëmijës së mitur A.S., duke vlerësuar se mbrojtja e identitetit, privatësisë dhe mirëqenies së tij duhet të jetë një konsideratë me rëndësi të veçantë gjatë zhvillimit të procedurës”, thuhet në vendim.
Prokuroria kishte kërkuar që, në rast se gjykata nuk e vlerësonte të domosdoshëm përjashtimin e plotë të publikut, të paktën të mbylleshin ato pjesë të seancës ku do të lexoheshin procesverbalet e marrjes në pyetje të palës së dëmtuar dhe të pandehurit, raportet e bashkëbisedimeve me të miturin, raporti informues dhe ai psikologjik, si dhe ku do të shikoheshin e dëgjoheshin video-incizimet e përfshira në shkresat e lëndës.
Mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtësja e të pandehurit e kanë përkrahur kërkesën e Prokurorisë, duke dhënë pëlqimin që shqyrtimi të mbahet pa praninë e publikut.
Në përfundim, gjykata ka vlerësuar se mbrojtja e jetës private dhe familjare në këtë rast është më e rëndësishme sesa interesi publik për ndjekjen e seancës.
“Njëkohësisht, gjykata vlerëson se interesi për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe interesave në rrethanat konkrete mbizotëron ndaj interesit publik për zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor në prani të publikut”, thuhet në aktvendim.
Shqyrtimi fillestar është caktuar të mbahet më 12 nëntor, në Gjykatën Themelore në Pejë.