Këlliçi kërkon shqyrtimin e katër nismave të PD-së: Të përfshihen në rendin e ditës së Kuvendit
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve caktimin e një date për shqyrtimin në Kuvend të katër nismave ligjore të depozituara nga opozita.
Nismat e PD-së parashikojnë shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, të ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të ligjit për Paketën e Maleve dhe të disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këlliçi akuzoi mazhorancën se po i mban këto propozime pa një datë shqyrtimi dhe kërkoi që ato të përfshihen në rendin e ditës të seancës së ardhshme parlamentare.
Duke u ndalur te ligji për Investimet Strategjike, deputeti demokrat pretendoi se gjatë 11 viteve të zbatimit të tij, 98% e kontratave u janë dhënë pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, ndërsa vetëm 2% lidhen me investitorë të huaj. Ai pretendoi gjithashtu se edhe këta investitorë kanë lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.
Sipas Këlliçit, ligji është përdorur edhe për pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në bregdet.
Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke përmendur si problematika dobësimin e kontrollit parlamentar, cenimin e të drejtave të opozitës dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Këlliçi ngriti gjithashtu çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke pretenduar se në këtë rast është cenuar parimi i barazisë përpara ligjit.
Në përfundim, ai i kërkoi drejtuesve të Kuvendit të garantojnë shqyrtimin e nismave të opozitës dhe respektimin e rregullave parlamentare.
“Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t’i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private”, deklaroi Këlliçi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




