Një në katër klube të Ligës Premier ka vendosur në dhomat e zhveshjes urinare inteligjente që shqyrtojnë urinën dhe u përcjellin stafit mjekësor të dhënat mbi hidratimin brenda pak sekondash.
Pajisja S-Urinal është krijuar nga kompania spanjolle Kamleon, raportoi Flashscore. Manchester United e instaloi ndër të parët në qendrën stërvitore të Carringtonit. Më pas, sistemin e morën edhe Arsenal, Manchester City dhe Aston Villa, ndërsa klubi i fundit që iu bashkua është Ipswich Town.
Të lidhura
None found
Përdorimi i saj nuk kërkon procedurë të ndërlikuar: futbollisti zgjedh emrin e vet në ekranin me prekje dhe urinon si zakonisht. Sensorët optikë matin peshën specifike, vëllimin, ngjyrën dhe përqendrimin e elektroliteve në urinë.
Menjëherë pas analizës, në mur shfaqet një vlerësim i hidratimit nga 1 deri në 100, i shoqëruar me ngjyrë jeshile, të verdhë ose të kuqe. Në të njëjtën kohë, rezultatet u dërgohen mjekëve të klubit. Nëse sinjali është i verdhë ose i kuq, trajnerët e udhëzojnë lojtarin për sasinë dhe llojin e lëngjeve që duhet të konsumojë.
Flashscore bën të ditur se mes futbollistëve që e përdorin sistemin janë edhe Erling Haaland, Declan Rice dhe Ryan Cherki.
Drejtori ekzekutiv i Ipswich, Mark Ashton, foli për pajisjen gjatë vizitës në qendrën e re stërvitore të klubit dhe nënvizoi rëndësinë e të dhënave mbi hidratimin për funksionimin e tij.
“Në ekran shfaqet fytyra e lojtarit; ai e përzgjedh dhe e përdor tualetin njësoj si zakonisht”, tha Ashton.
Hidratimi mbetet një çështje e rëndësishme në futbollin elitar. Një studim i publikuar më 2020 në European Journal of Sport Science shqyrtoi 24 studime dhe arriti në përfundimin se dy të tretat e futbollistëve profesionistë nuk ishin të hidratuar mjaftueshëm ose ishin të dehidratuar.






