Finlanda synon të marrë një tjetër rezultat pozitiv ndaj Shqipërisë, këtë herë në transfertë, në përballjen e vlefshme për Grupin 1 të Ligës C të UEFA Nations League 2026-2027. Për sfidën e së enjtes në mbrëmje, miqtë do të kenë në dispozicion edhe një nga lojtarët e rëndësishëm të mesfushës, Naatan Skyttä.
Futbollisti 24-vjeçar i Kaiserslauternit ka lënë pas një dëmtim serioz, që e mbajti larg fushave për afro katër muaj. Ai mungoi në ndeshjen e parë ndaj Shqipërisë, ku finlandezët arritën të fitonin, ndërsa tani është gati për të ndihmuar skuadrën në objektivin për të siguruar vendin e parë në grup.
Pas seancës së parë stërvitore në stadiumin “Selman Stërmasi”, Skyttä foli për gjendjen e tij fizike dhe përgatitjet e Finlandës.
“Për fat të keq, pësova një dëmtim serioz në ndeshjen e dytë të sezonit dhe qëndrova shumë kohë jashtë fushave për t’u rikuperuar. Gjithsesi, tani ndihem mirë dhe gjithçka e kam lënë pas. Kemi nisur përgatitjet, por disa prej shokëve i kanë ende këmbët e lodhura pas impenjimeve të fundjavës, ndërsa kushtet e fushës nuk janë optimale”, deklaroi mesfushori.
Sa i përket përballjes me kuqezinjtë, 24-vjeçari shfaqi besim te skuadra e tij, duke paralajmëruar se Finlanda udhëton në Tiranë për fitore.
“Atmosfera këtu është shumë e mirë. Ne i kemi mundur në shtëpinë tonë dhe mendoj se mund t’i mposhtim edhe këtu. Do të futemi në fushë me kurajë, edhe pse e dimë se Shqipëria do të mbështetet te publiku i vet. Fakti që stadiumi do të jetë i mbushur plot do ta bëjë ndeshjen edhe më të bukur”, përfundoi Skyttä.
Ndërkohë, prania e tifozëve në “Air Albania”, ku pritet një stadium i tejmbushur, është një motiv shtesë për kuqezinjtë, që kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv përballë rivalit direkt për kreun e grupit.
