Procesi gjyqësor për dosjen “5D” ka marrë një kthesë të re pas zhvillimeve në seancën e fundit, ku Gjykata e Posaçme i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme ndryshimin e cilësimit juridik të akuzave për disa prej të pandehurve kryesorë, në qendër të të cilëve janë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Trupi gjykues i përbërë nga Flora Hajredinaj, Erion Bani dhe Flojera Davidhi ka kërkuar që akuza për Redi Mollën, Mariglen Qaton, Nestor Muharremllarin dhe shoqërinë “5D” sh.p.k. të riformulohet si “Mashtrim me pasoja të rënda”, kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, në shtatë raste të ndryshme.
Mbrojtjes i është lënë një afat deri më 24 nëntor për të depozituar qëndrimin e saj zyrtar lidhur me këtë ndryshim të propozuar të veprës penale.
Hetimet e SPAK-ut mbi këtë dosje janë përqendruar te dyshimet se Redi Molla dhe Mariglen Qato, gjatë kohës që ushtronin funksione drejtuese në institucione në varësi të Bashkisë së Tiranës, kontrollonin në fshehtësi kompaninë “5D Konstruksion” nëpërmjet personave të tjerë të regjistruar si ortakë formalë.
Sipas organit të akuzës, kjo kompani ka përfituar 12 tendera publikë me një vlerë totale prej rreth 192.7 milionë lekësh, të cilët janë zhvilluar kryesisht nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Bashkia e Tiranës, “Tirana Parking” dhe Klubi Sportiv Tirana.
Prokuroria pretendon se procedurat e prokurimit janë manipuluar sistematikisht për t’i siguruar avantazh të padrejtë kompanisë, ndërsa përfitimet financiare janë shfrytëzuar për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.
Në këtë procedim penal janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të tjerë, ku spikatën emrat e Taulant Tushes, Enton Punavias, Julian Zanajt dhe Albano Jankut, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe favorizim të dukshëm të kompanisë.