Pulë e mbushur me kimë, dreka perfekte nga shefja e kuzhinës Albana Mançja
Çdo ditë, në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, shefja e kuzhinës Albana Mancia sjell receta të shijshme, ide kreative dhe sugjerime për gatime që mund t’i përgatisni lehtësisht në shtëpi. Ndiqni recetat e saj dhe zbuloni çdo ditë shije të reja, hap pas hapi!
Përbërësit për 5–6 persona:
1 pulë e plotë
500–600 gr mish i grirë
70 g fistikë
1 gotë verë e bardhë CANTINA CASSAR
1 grusht galetë e shtypur
Majdanoz i grirë hollë
2 qepë mesatare
2–3 lugë yndyrë
Mëlçitë e pulës
2 vezë
Kripë, piper dhe gjalpë
Përgatitja:
Pastrojmë pulën, e lajmë dhe e thajmë mirë me letër kuzhine. Mëlçitë i presim në copa të vogla.
Në një tigan ngrohim yndyrën dhe kaurdisim qepët e grira hollë derisa të zbuten.
Shtojmë mishin e grirë dhe mëlçitë, duke i përzier derisa të marrin ngjyrë.
Shuajmë me verën e bardhë dhe e lëmë të avullojë pjesërisht.
Shtojmë fistikët, galetën, majdanozin, kripën dhe piperin. E përziejmë mirë mbushjen.
E largojmë nga zjarri, e lëmë të ftohet pak dhe shtojmë vezët e rrahura.
Mbushim pulën me masën e përgatitur dhe e mbyllim me spango kuzhine.
E lyejmë me gjalpë, e vendosim në tavë dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 90–120 minuta, sipas madhësisë, derisa pula dhe mbushja të arrijnë temperaturën e brendshme 74°C.




