E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Ekspertja Meta: Reforma zgjedhore po shtyhet në limitet e fundit, rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje me Kodin e vjetër

Ekspertja e çështjeve zgjedhore, Gerta Meta, ka ngritur shqetësimin për vonesat në procesin e reformës zgjedhore, duke deklaruar se palët politike po përsërisin të njëjtin skenar, duke e shtyrë diskutimin deri në limitet e fundit kohore.

“Është një refren që e dëgjojmë sa herë jemi afër proceseve zgjedhore. Tashmë kemi një datë të dekretuar për zgjedhjet e radhës për qeverisjen vendore. Natyrisht, ne kishim pritshmëri që mbase këto zgjedhje do të ishin të riformatuara më mirë brenda kuadrit ligjor, por shikojmë që palët politike vazhdojnë me atë skenarin e vjetër: ta spostojnë gjithmonë reformën dhe ta çojnë në limitet e fundit të kohës”, tha Meta.

E ftuar në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit, Meta tha se, pavarësisht pritshmërive për një kuadër të përmirësuar ligjor për zgjedhjet e ardhshme vendore, ende nuk ka një produkt konsensual mes mazhorancës dhe opozitës, as për reformën zgjedhore dhe as për atë administrativo-territoriale.

“Kur palët kushtëzojnë njëra-tjetrën me parimin ‘më jep këtë që të të jap atë’, kemi të bëjmë me një pazar të pastër me paketë. Kur dëgjon këtë bashkëbisedim në Kuvendin e Shqipërisë, nuk mund të jesh optimist”, tha ekspertja.

Reklamë

Sipas saj, kushtëzimet mes palëve politike po pengojnë trajtimin e çështjeve thelbësore, si transparenca e financimit të partive, listat e hapura dhe votimi elektronik. Meta paralajmëroi se, nëse ndryshimet nuk pasqyrohen në Kodin Zgjedhor në kohë, vendi rrezikon të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme me legjislacionin ekzistues.

“Nëse ndryshimet nuk reflektohen në Kod, rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje përsëri me Kodin e vjetër Zgjedhor”, tha Meta.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga ekspertja është përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës publike gjatë fushatave elektorale. Ajo u shpreh se punonjësit e administratës duhet të jenë të lirë nga çdo presion politik, duke përmendur si problematike kërkesat për mbështetje në rrjetet sociale apo për lista emrash të personave që do të votojnë për një parti të caktuar.

“Është e papranueshme që punonjësit e administratës të presionohen për të bërë ‘like’ në rrjetet sociale për drejtorët e ministrat, apo t’u kërkohen lista me emra se kush do të votojë për partinë”, tha ekspertja.

Meta u ndal edhe te fenomeni i shitblerjes së votës, duke theksuar se ndikimi mbi zgjedhësit nuk ushtrohet vetëm përmes parave, por edhe përmes premtimeve për punësime, tendera, projekte apo ndihma materiale. Ajo kërkoi masa më të forta ndëshkuese si për personat që ofrojnë përfitime në këmbim të votës, ashtu edhe për ata që i pranojnë.

“Oferta për blerjen e votës vjen në forma të ndryshme: me para, punësime, tendera, projekte, apo edhe me thasë me miell në komunitetet vulnerable”, tha ajo.

Sa i përket propozimit për listat e hapura, ekspertja vlerësoi se ky mekanizëm do t’u jepte qytetarëve më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, duke kufizuar monopolin e kryetarëve të partive në përzgjedhjen e kandidatëve.

Meta komentoi gjithashtu rëndësinë e votimit elektronik dhe depolitizimit të administratës zgjedhore. Sipas saj, teknologjia mund të përshpejtojë procesin e numërimit dhe të shmangë ndërhyrjet politike, por zbatimi i saj duhet të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.

“Nëse vendoset të zbatohet votimi elektronik, duhet shtrirë në të gjithë territorin. Teknologjia lehtëson dhe përshpejton numërimin e votave, duke shmangur vonesat që shkaktohen nga ndërhyrjet dhe telefonatat politike”, theksoi ekspertja.

Në fund, ekspertja bëri thirrje për një Kod Zgjedhor gjithëpërfshirës, që të reflektojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të garantojë ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.