Autoritetet spanjolle thonë se kanë identifikuar shqiptarin e ekzekutuar ditën e martë në rajonin Alicante, në juglindje të vendit. Vrasja ndodhi pasdreken e kësaj të marte në një kompleks sportiv. Sipas mediave vendase, viktima është një 39 vjeçar shqiptar nga Vlora. Ai ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike, duke shmangur kapjen. Trupi i 39-vjeçarit qëndroi pranë tarracës së lokalit deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante. Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e atentatit dhe rrethanat e plota të ekzekutimit, teksa ka dyshime se krimi lidhet me larje hesapesh dhe prishje pazaresh në fushën e trafikut të narkotikëve.