Një tragjedi është shmangur mëngjesin e së mërkurës në lagjen Afrim i Ri në qytetin e Fierit, ku një rrjedhje gazi në një furrë buke për pak sa nuk u mori jetën dy punonjësve. Fillimisht u dyshua se të asfiksuarit ishin çifti i bashkëshortëve Kola, pronarë të banesës dhe të furrës së bukës, por të dhënat e fundit bëjnë me dije se viktima të kësaj ngjarjeje janë Aleksandër Kola, 62 vjeç, pronar i aktivitetit dhe Ilir Hysi, 55 vjeç, punëtor dhe i afërm i familjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur në ambientet e furrës dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi. Pas konstatimit të situatës, në vendngjarje mbërritën dy autoambulanca, të cilat transportuan me urgjencë dy të asfiksuarit drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Ata po marrin ndihmë mjekësore nën kujdesin e bluzave të bardha, ndërsa sipas të dhënave paraprake ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur një grup pune dhe po heton rastin, teksa paraprakisht dyshohet se rrjedhja e gazit ka ardhur si pasojë e depozitave të amortizuara dhe të pakolauduara përsa u përket parametrave të sigurisë.