Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, mund të jetë një nga emrat kryesorë të dy prej festivaleve më të mëdha muzikore në botë në vitin 2027.
Sipas raportimeve të mediave britanike, artistja është në negociata të avancuara për të kryesuar festivalin amerikan “Coachella”, ndërsa po diskuton edhe pjesëmarrjen në festivalin britanik “Reading & Leeds”.
Marrëveshja për “Coachella” thuhet se është pranë finalizimit, ndërsa bisedimet për festivalin në Britani vijojnë. Nëse konfirmohen, këto dy pjesëmarrje do të shënonin një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të këngëtares shqiptare.
Dua Lipa ka performuar për herë të fundit në “Reading & Leeds” në vitin 2018, kur ishte pjesë e programit kryesor, por jo si artiste kryesuese. Ndërsa një ngjitje në skenën kryesore të “Coachella” do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm për të.
Por planet e artistes për vitin 2027 mund të mos përfundojnë me festivalet. Sipas të njëjtave raportime, ajo mund të rikthehet edhe me një turne të ri në stadiume, ku ndër alternativat e përmendura janë “Wembley” dhe stadiumi i “Tottenham Hotspur” në Londër.
Për momentin, pjesëmarrjet dhe koncertet mbeten në fazë diskutimesh dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.










