Hyn sot në operacionin vendimtar për shikimin e tij, Stresi në mbështetje të Erjon Vishkullit: Nuk je vetëm
28-vjeçari nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës së mbajtur në Tiranë para dy javësh, pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila do të jetë vendimtare për rikthimin e shikimit.
Lajmin e ka bërë të ditur reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe një mesazh mbështetës për të riun.
Artisti ka shprehur lutjet që operacioni të përfundojë me sukses, duke theksuar se askush nuk duhet të rrezikojë shëndetin apo të paguajë me trupin e tij për të drejtën për të protestuar.

“Nesër vëllai jonë hyn në sallën e operacionit, pasi humbi syrin në protestë. Asnjë njeri nuk duhet të paguajë me shëndetin dhe trupin e tij për të drejtën për të protestuar. Lutem që operacioni të shkojë sa më mirë dhe Zoti t’i japë forcë për ta përballuar këtë betejë. Drejtësia nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë. Forca vëlla, nuk je vetëm”, shkroi Stresi në postimin e ndarë në InstaStory.
Rasti i Erjonit kishte shkaktuar reagime të shumta, pasi u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës kombëtare në Tiranë, e organizuar nga të rinjtë.Pamjet e tij, teksa shfaqej i gjakosur mes turmës, kishin tronditur opinionin publik.
Pas plagosjes, i riu ishte dërguar për trajtim në spitalin Gemelli në Romë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që përfundoi me sukses.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te ndërhyrja e radhës, nga e cila pritet të mësohet më shumë për gjendjen e shikimit të tij. /Telegrafi/






































