Një sulm me dronë ka shkaktuar zjarr në zonën portuale të Ust-Lugës, në Detin Baltik, në veriperëndim të Rusisë. Ky port është një nga qendrat më të rëndësishme të eksportit të naftës në pjesën perëndimore të Rusisë dhe është sulmuar vazhdimisht nga Ukraina.
Lajmi u bë i ditur përmes Telegramit nga guvernatori i rajonit, Aleksandr Drozdenko.
Guvernatori raportoi gjithashtu se, si pasojë e sulmit, është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike i një centrali.
Gjatë operacionit, 146 dronë u rrëzuan mbi rajonin e Leningradit, ku ndodhen një rafineri e rëndësishme nafte dhe qyteti i Shën Petersburgut, vendlindja e presidentit rus Vladimir Putin.
Në Ukrainë, një pjesë e qytetit të Kryvyi Rihut, një qendër industriale dhe qyteti i lindjes së presidentit Volodymyr Zelensky, ka mbetur pa energji elektrike pas një sulmi me dronë.
Sulmet po ndodhin në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmarrin një tjetër nismë diplomatike për arritjen e paqes. Kjo përkon me bisedimet e para mes Rusisë dhe Ukrainës pas nëntë muajsh, të cilat po zhvillohen në Abu Dhabi dhe do të vijojnë edhe gjatë paradites së sotme.
Volodymyr Zelensky, nga Kopenhaga, deklaroi se “zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës ruse kanë paraqitur pretendime të rreme mbi ecurinë e luftimeve gjatë bisedimeve të paqes në Abu Dhabi, lidhur me kontrollin e territoreve në Donbas që ende ndodhen nën kontrollin ukrainas”. Ai paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin “duket se po jeton në një realitet paralel”, pikërisht në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë për t'i dhënë fund konfliktit.
Siç shkruan Kyiv Post, “presidenti ukrainas kundërshtoi pretendimet territoriale të Moskës, kërkoi që Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë më shumë presion ndaj Rusisë dhe shprehu gatishmërinë e tij për të negociuar drejtpërdrejt me Putinin”.
Zelensky bëri të ditur se përfaqësuesit e ushtrisë dhe të inteligjencës ruse kishin pretenduar se kontrollonin rreth gjysmën e territorit të Donbasit që aktualisht është ende nën kontrollin ukrainas.
Sipas Zelenskyt, negociatorët ukrainas mbetën të habitur nga këto pretendime dhe iu përgjigjën delegacionit rus duke paraqitur prova filmike dhe fotografike.
“Besoj se Putini jeton në një lloj flluske tjetër informative. Ai jeton në një realitet tjetër”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Putini u kishte thënë gjithashtu negociatorëve amerikanë se Rusia ishte në gjendje të pushtonte territoret e mbetura të Ukrainës lindore brenda pak muajsh.
“Por kjo nuk është e vërtetë, gjërat nuk qëndrojnë kështu”, përfundoi presidenti ukrainas, duke shtuar se përfaqësuesit amerikanë kishin konfirmuar vlerësimet e Kievit mbi situatën në terrenin e luftës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në negociata.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Zelensky u shpreh i gatshëm të diskutojë çështjet territoriale drejtpërdrejt me Putinin, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
“Pikërisht për këtë arsye jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë për territoret”, deklaroi ai, duke theksuar se negociatat duhet të zhvillohen në nivelin e liderëve shtetërorë, pasi kërkojnë një kuptim të qartë të situatës reale dhe të kontrollit efektiv mbi territoret./Corriere








Komente
Komento