Irani zbulon “qytetin e raketave” nën një mal, paralajmëron SHBA-në: Përgjigjja jonë do të shkojë përtej rajonit

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 11.11.2026, 00:33

Irani ka publikuar pamje nga një bazë gjigante ushtarake e ndërtuar nëntokë, ku ruhen raketa balistike, raketa lundrimi, mjete të rënda ushtarake dhe sisteme lëshimi. Kompleksi, i cilësuar nga autoritetet iraniane si një “qytet raketash”, është ndërtuar brenda një mali dhe vendndodhja e tij mbahet sekret nga Garda Revolucionare.

Në pamjet e publikuara shihen tunele të gjata të mbushura me armatime, ndërsa mes tyre lëvizin zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Ali Abdollahi, dhe komandantin e Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare, Majid Mousavi. Përmes këtij publikimi, Teherani synon të tregojë se një pjesë e rëndësishme e kapaciteteve të tij ushtarake është e mbrojtur nga sulmet ajrore.

Gjatë inspektimit, Abdollahi lëshoi edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë për kundërshtarët e Iranit. “Nëse armiku bën një lëvizje tjetër kundër nesh, përgjigjja jonë do të shkojë përtej rajonit”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se një përballje e re nuk do të kufizohej vetëm në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos bëjnë gabime në llogaritjet e tyre. Sipas tij, këtë herë do të jenë forcat e armatosura iraniane ato që do të përcaktojnë shtrirjen gjeografike të konfliktit.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është se, sipas Gardës Revolucionare, Irani po zhvendos edhe prodhimin e raketave dhe dronëve në ambiente nëntokësore. Kjo strategji synon të sigurojë vazhdimësinë e prodhimit të armatimeve edhe në rast se objektet ushtarake mbi tokë goditen nga bombardimet.

Pamjet vijnë pas dëmeve që Irani pësoi gjatë përplasjeve me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Në vend që të tregojë dobësi pas sulmeve, Teherani po ekspozon infrastrukturën e tij të fshehtë ushtarake dhe po dërgon një mesazh se arsenali raketor dhe kapacitetet e prodhimit mbeten pjesë qendrore e strategjisë së tij të mbrojtjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit