Është zbardhur identiteti i 39-vjeçarit shqiptar që u vra me armë zjarri në një atentat në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë. Viktima është Luka Beqiraj, i cili u ekzekutua në mes të ditës në një kompleks sportiv dhe argëtues.

Ngjarja ndodhi pak para orës 13:00, në ambientet e Playa Flamenca Sport Club. Sipas mediave spanjolle, Beqiraj ndodhej në tarracën e një lokali kur një person i armatosur iu afrua dhe hapi zjarr disa herë në drejtim të tij. 39-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.

Pas krimit, autori u largua me një skuter elektrik. Dëshmitarët që ndodheshin në zonë kanë dhënë dëshmi për mënyrën se si u largua personi i armatosur, i cili dyshohet se mund të jetë vrasës me pagesë.

Hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë që atentati të ketë lidhje me një larje hesapesh, por motivet e vrasjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Policia spanjolle ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili është shpallur në kërkim, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ekzekutimit.