Llabani ngre alarmin për dosjen e AKSHI-t: Del edhe emri i kryeministrit
Çfarë fshihet në 7 telefonat e Agasit?
Dosja e AKSHI-t mund të fshehë zhvillime të tjera përtej atyre që janë bërë publike deri më tani. Gazetarja Anduena Llabani ka ngritur pikëpyetje mbi shtrirjen e hetimeve të SPAK-ut, duke pretenduar se komunikimet e gjetura në telefonat e biznesmenit Ergys Agasi mund të përfshijnë edhe emra të rëndësishëm të politikës, deri te kryeministri Edi Rama.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, Llabani u ndal te masat e sigurisë të vendosura në kuadër të hetimeve dhe te fakti që, sipas një deklarate të mëparshme të ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, ishte ekzekutuar vetëm një pjesë e vogël e tyre.
Gazetarja rikujtoi se në dhjetor të vitit 2025 ishin lëshuar tetë masa sigurie, gjashtë prej të cilave ishin ekzekutuar, ndërsa biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri ishin shpallur në kërkim.
Sipas saj, deklarata e Dumanit se ishte ekzekutuar vetëm 10% e masave të sigurisë në këtë dosje ngre pikëpyetje mbi personat e tjerë që mund të jenë objekt hetimi dhe arsyet pse procedurat nuk kanë avancuar më tej.
Llabani ngriti shqetësimin se vonesat mund të krijojnë hapësirë për tjetërsimin e provave dhe pasurive, si dhe për ndikimin apo intimidimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Ku është pengesa që SPAK-u të shkojë te personat e tjerë? A do të shërbejë kjo kohë për të tjetërsuar provat, pasuritë apo për të intimiduar personat e tjerë që janë të përfshirë?”, ishte një nga pyetjet që shtroi gazetarja.
Shtatë telefonat e Agasit, çfarë mund të zbulojnë komunikimet?
Një tjetër element ku u përqendrua Llabani ishte përmbajtja e shtatë telefonave celularë që i përkisnin Ergys Agasit. Ajo pretendoi se pajisjet janë zbërthyer dhe se aty gjenden komunikime të shumta, të cilat mund të hedhin dritë mbi lidhjet dhe personat e përfshirë në çështje.
“Ne kemi parë vetëm majën e ajsbergut”, deklaroi gazetarja, duke lënë të kuptohet se materialet e zbuluara mund të përmbajnë të dhëna që shkojnë përtej asaj që është bërë publike deri tani.
Sipas saj, në komunikime përmenden edhe politikanë të niveleve të larta. Llabani e lidhi këtë pretendim me rolin që, sipas saj, Agasi kishte në marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës, duke e cilësuar atë si një person shumë të afërt me kryeministrin.
E pyetur nëse në këto komunikime shfaqet edhe emri i Edi Ramës, gazetarja u përgjigj: “A del kryeministri aty? Patjetër që po”.
Megjithatë, këto janë pretendime të bëra nga Llabani në emision dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatime zyrtare të SPAK-ut apo prova për përfshirjen e personave të përmendur në veprimtari të paligjshme.
Gazetarja argumentoi gjithashtu se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te tenderat dhe përdorimi i parave publike, por duhet të shqyrtojë edhe elementë të tjerë që, sipas saj, lidhen me sigurinë kombëtare dhe interesat ndërkombëtare.
Deklaratat e saj rikthejnë vëmendjen te dosja e AKSHI-t, ku hetimet pritet të sqarojnë jo vetëm mekanizmin e dyshuar të përfitimit nga fondet publike, por edhe rolin e personave të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me aktivitetin e hetuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



