Është identifikuar shqiptari 39-vjeçar që u ekzekutua me armë zjarri në Orihuela Costa të Spanjës. Bëhet fjalë për Luka Beqirajn, i cili mbeti i vdekur pas një atentati të ndodhur në mesditë, në ambientet e kompleksit Playa Flamenca Sport Club.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, 39-vjeçari ndodhej në tarracën e një lokali, kur një person i armatosur iu afrua dhe hapi zjarr disa herë ndaj tij. Plumbat rezultuan fatalë, duke i marrë jetën në vendngjarje. Autoritetet dyshojnë se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh, ndërsa mënyra e organizimit të atentatit ngre dyshime se bëhet fjalë për një ekzekutim të porositur.
Autori u largua me një skuter elektrik, sipas dëshmive të personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Policia spanjolle ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të krimit. Personi i dyshuar për ekzekutimin është shpallur në kërkim, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen, si dhe për përcaktimin e motiveve që çuan në vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar.
