Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në Orihuela Costa të Spanjës. Vrasja ndodhi pasdreken e kësaj të marte në një kompleks sportiv në zonën Playa Flamenca. Viktima ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike, duke shmangur kapjen. Pas njoftimit të marrë nga dëshmitarët, mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle. Këta të fundit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e larjes së hesapeve.