Aktori i njohur amerikan Dustin Hoffman flet për herë të parë në mënyrë të gjerë rreth akuzave për ngacmim seksual që dolën në publik në vitin 2017, duke i mohuar pretendimet më të rënda, por duke pranuar se sjelljet e tij të së shkuarës mund t’i kenë bërë disa gra të ndihen të pakëndshme. Deklaratat janë pjesë e librit të kujtimeve “Look at Me”, i publikuar të martën, më 10 nëntor. Në autobiografinë e tij, aktori 89-vjeçar i kushton vëmendje polemikave që shoqëruan karrierën, pa iu referuar drejtpërdrejt secilës prej akuzave.
Fituesi i dy çmimeve Oscar pranon se, veçanërisht rreth katër dekada më parë, mund të ketë pasur sjellje që i vendosnin disa gra në situata të pakëndshme. “Jam i sigurt se është e vërtetë që në jetën time, veçanërisht dyzet vjet më parë, i kam bërë disa gra të ndihen në siklet. Por ‘e pakëndshme’ është një gjendje emocionale subjektive”, shkruan ai. Hoffman përshkruan veten si ekscentrik, me shaka të guximshme dhe humor provokues, duke sjellë edhe një komentin e Bill Murray që e quante “sharmant të modës së vjetër me një sens humori pikant”.
Ai thekson se humori dhe flirtimi nuk duhet të ngatërrohen me detyrimin e dikujt për të bërë diçka kundër dëshirës së tij. Në librin e tij, Hoffman thotë se mbështeti lëvizjen #MeToo që në fillim dhe se shumë gra në industrinë e filmit kishin duruar sjellje të papranueshme dhe meritonin të dëgjoheshin. Sipas tij, nuk kishte pritur të përballej me akuza, pasi pretendon se nuk ka marrë “kurrë diçka seksualisht nga një person që nuk dëshironte ta jepte”.
Në vitin 2017, gjashtë gra dolën publikisht me akuza ndaj Hoffman; disa pretendime u publikuan nga revista Variety. Akuzat përfshinin ngacmim seksual, sulm seksual dhe sjellje të pahijshme ndaj një të miture. Një nga gratë tha se u sulmua seksualisht kur ishte 17 vjeçe dhe punonte si asistente produksioni në shfaqjen “Vdekja e një shitësi” në vitin 1985. Të tjerat pretenduan ngacmim, sulm ose propozime gjatë një takimi pune. Pas publikimit të akuzave, Hoffman i kërkoi falje njërës prej grave, ndërsa avokati i tij e përshkroi si “raporte shpifëse” pretendimin për sulm nga dy gra. Nuk u ngritën padi apo akuza penale lidhur me këto pretendime.
