Prostitucion në zemër të Tiranës/ Fiks Fare zbulon dy apartamente ku ofroheshin shërbime seksuale. Çfarë tha polici që ishte komshi me eskortat? Kryetari i partisë “Mali i Zi i Lirë”, Vladislav Dajković, ka deklaruar se është dënuar nga një gjykatë shqiptare me tre vite burg, për shkak se gjashtë vite më parë kishte realizuar në Shkodër një fotografi me flamurin trengjyrësh malazez, të cilën e kishte publikuar me përshëndetjen: “Përshëndetje të gjithëve nga Shkodra e lashtë serbe”, raporton RTCG.
Dajković thekson se me tekstin për të cilin është dënuar nuk ka fyer apo kërcënuar askënd, por ka paraqitur vetëm fakte historike që, sipas tij, janë të njohura. Ai deklaron se nuk do të dorëzohet te autoritetet shqiptare, por nuk pret mbështetjen e shtetit të Malit të Zi, të cilën thotë se nuk e ka marrë as gjatë këtij procesi pesëvjeçar.
Në atë publikim, siç shton ai, kishte shkruar gjithashtu se e lidh një traditë e veçantë familjare me këtë qytet, pasi stërgjyshi i tij, Luka Šutov Dajković, komandant i batalionit të Ceklinës, kishte marrë çelësat e qytetit nga Esad Pasha dhe më pas ia kishte dorëzuar mbretit Nikolla.
“Gjykata dha dënimin për veprat penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes kombëtare. Dënimi është tre vite, i ulur në një vit, pasi jam njeri familjar dhe nuk kam precedentë penalë. Në arsyetimin e gjykatës përmenden edhe të dhëna të shërbimit kombëtar shqiptar, i cili më përshkruan si nacionalist serb, që mbështet idetë e Serbisë së Madhe dhe si mik të ngushtë të mitropolitit Amfilohije”, tha Dajković.
Sipas tij, të gjitha këto e çojnë në përfundimin se çështja është e motivuar politikisht. Ai pretendon se i ishte caktuar një avokat kryesisht dhe se i ishte thënë se ekzistonte një marrëveshje për një dënim me kusht, por vetëm nëse ai paraqitej në Shkodër, raporton RTCG.
“U thashë: Jo, faleminderit. Nuk më shkon ndërmend të shkoj në Shkodër, sepse jam i sigurt se sapo të kaloja kufirin do të dërgohesha menjëherë në paraburgim dhe nga ai paraburgim do të dilja në arkivol”, u shpreh Dajković.
Ai thekson se në publikimin që autoritetet shqiptare e konsiderojnë problematik nuk ka bërë asnjë fyerje apo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Shqipërisë, apo ndaj ndonjë qytetari shqiptar. Përkundrazi, sipas pretendimit të tij, ka paraqitur vetëm një “fakt historik të njohur”, se Shkodra kishte qenë për shekuj me radhë kryeqytet i Perandorisë Serbe.
“Nëse unë duhet të shkoj në burg për këtë, atëherë duhet të shkojë edhe i gjithë sistemi ynë arsimor. Nëse unë duhet të shkoj në burg, a do të mbajë përgjegjësi ndonjë shqiptar që bën të njëjtën gjë me flamujt e Shqipërisë dhe të UÇK-së nëpër Malin e Zi? Këto janë standarde të dyfishta dhe pyes veten se sa mijëra vite burg do të merrnin shqiptarët në Malin e Zi për një vepër të tillë. Unë nuk kam thënë se do ta shkatërroj apo pushtoj Shkodrën dhe, nëse duhet të shkoj në burg, le të jetë kështu, por të kërkoj falje nuk do të bëj”, deklaroi kategorikisht Dajković.
Ai thotë se gjatë këtij procesi pesëvjeçar nuk ka pasur mbështetjen e shtetit. Sipas tij, ka zhvilluar disa biseda me ministrin e Drejtësisë, Bojan Božović, i cili i kishte premtuar ndihmë juridike, por që, siç pretendon Dajković, nuk e ka marrë.
“Edhe një herë do t’i drejtohem ministrit dhe do të shoh nëse unë jam qytetar i dorës së dytë”, deklaroi ai, transmeton RTCG.
Dajković pretendon se gjithçka është bërë me qëllimin për të “heshtur një serb” dhe për të dhënë mesazhin: “Kujdes çfarë bën, sepse e njëjta gjë mund të të ndodhë edhe ty”.
“Nuk do të habitesha nëse autoritetet malazeze, në përpjekje për t’u bërë qejfin kroatëve, shqiptarëve, Albin Kurtit dhe Bashkimit Evropian, do të nisnin procedurën për ekstradimin tim te autoritetet shqiptare. Por, me këtë vetëm do të bashkonin popullin serb. Serbët nuk do të heshtin përballë kësaj dhe jap fjalën se nuk do të dorëzohem vullnetarisht te autoritetet shqiptare”, theksoi Dajković.
Ai tha se nuk do të luajë “sipas notave të tyre” dhe se ndërgjegjja e tij është e pastër. Sipas tij, pavarësisht nëse përfundon apo jo në burg, ekziston vetëm një mënyrë që serbët në Mal të Zi të mbijetojnë politikisht: krijimi i një fronti të fuqishëm serb, të cilin ai e konsideron si mbrojtjen e vetme ndaj asaj që e cilëson si rritje të serbofobisë në Mal të Zi dhe në rajon.
“Një front i tillë mund të rikthejë gjuhën serbe si gjuhë zyrtare, flamurin trengjyrësh, himnin dhe stemën, të heqë sanksionet ndaj Rusisë dhe të rishqyrtojë vendimin për pavarësinë e Kosovës… Megjithatë, kam frikë se në Mal të Zi ka mjaft tradhtarë të gatshëm që, përmes Interpolit, të shpallin një urdhër-arresti me qëllim arrestimin dhe ekstradimin tim”, theksoi Dajković.
Në fund, ai nënvizoi se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se ka të drejtën e ankimit, të cilën do ta shfrytëzojë.
Top Channel