Trajneri Maran merr frymë lirisht, 2 lojtarët me probleme fizike drejt bashkimit me grupin
Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar një tjetër seancë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Sipas informacionit të bërë publik nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, pjesa më e madhe e lojtarëve kanë qenë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran dhe kanë kryer stërvitjen me ngarkesë të plotë.
Vëmendja ka qenë te gjendja fizike e Arbër Hoxhës dhe Cristian Shpendit, të cilët kanë vijuar me një program të diferencuar në fushë, në kuadër të rikuperimit nga dëmtimet e pësuara pas goditjeve të marra në ndeshjet e fundit me klubet e tyre. Të dy futbollistët pritet t’i bashkohen pjesës tjetër të skuadrës në seancën e së mërkurës.
Stërvitja e sotme nisi me ushtrime në palestër, ndërsa më pas stafi teknik u përqendrua në situata të ndryshme loje dhe elementë taktikë.
Programi i kuqezinjve vijon edhe nesër. Në orën 11:00 do të zhvillohet seanca zyrtare stërvitore, ku 15 minutat e para do të jenë të hapura për mediat. Më pas, në orën 16:00, trajneri Rolando Maran dhe një prej futbollistëve do të dalin në konferencën zyrtare për shtyp.
Edhe Finlanda ka përcaktuar programin e saj për ditën e mërkurë. Përfaqësuesja mike do të mbajë konferencën për media në orën 11:30, ndërsa stërvitjen zyrtare do ta zhvillojë në orën 12:30.
Sfida Shqipëri-Finlandë do të luhet të enjten, në Tiranë, duke nisur nga ora 20:45, në kuadër të UEFA Nations League. Interesi për këtë përballje është maksimal, pasi të gjitha biletat janë shitur dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur në kapacitet të plotë.
Kuqezinjtë synojnë të marrin një rezultat pozitiv përpara transfertës vendimtare ndaj Bjellorusisë, me objektivin për të siguruar vendin e parë në grup.




