Gazetari Artan Hoxha, ka komentuar hetimin që SPAK ka nisur pas kallëzimit të disa aktivistëve, nisur nga libri “Albanian Files”.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha deklaroi se nuk ka asnjë emër të regjistruar në këtë hetim, ndërkohë që tha se hetimi është i fokusuar në disa projekte.
“SPAK ka pranuar që ka filluar një hetim, por në praktikën e SPAK, bëhen disa bashkime referimesh. Në rastin konkret kanë bashkuar një kallëzim që është bërë në gusht, sepse libri nuk kishte dalë akoma në gusht dhe hetimi që është regjistruar në gusht i është bashkuar një procedim i shtatorit, ku është bashkëngjitur edhe libri voluminoz. SPAK ka bërë veprime duke shkuar në zyrat e AZHT, duke sekuestruar dosje projektesh. Janë 523 projekte në libër, nuk janë zbatuar të gjitha ato. Kanë shkuar edhe në zyrat e KKT, janë marrë dosjet për vendimet të kaluara. Vetëm kontrolli i vendimeve dhe projekteve kërkon kohë të madhe. Ndodhemi në këtë pikë. Çështja ka filluar, nuk ka emra konkretë. SPAK mund të ketë vazhduar hetime edhe për vite pa referuar emra, dhe emrat i referon para se të kërkojë masa sigurie. Deri aty e heton si vepër penale, pa përcaktuar kush e ka shkelur ligjin.
Kallëzuesit janë aktivistë të shoqërisë civile, tani janë futur edhe përfaqësues politikë.
Objekt i hetimti janë edhe projekte të mëdha, si ai i Zvërnecit, Rrjollit, projekti tjetër i Divjakë-Karavasta, po ashtu është kërkuar të shikohet pse janë bërë ndryshime në ligj për të lejuar pajisjen me status investitor strategjik të disa kompanive. Janë kërkuar edhe deklarime të disa arkitektëve, për projekt idetë, mënyrën si kanë bashkëpunuar me autoritetet, si kanë kaluar nga ide deri në fazën e zbatimit. Për të parë kush janë financuesit, zbatuesit, zyrtarët që kanë miratuar. Ajo që duket si lajm pozitiv është që SPAK e ka pranuar si kallëzim dhe po heton, por është pa autor akoma.
Nuk ka ende, jo Edi Rama, por as emra nga ata poshtë. Lejet të KKT është Rama atje, por urojmë që të shkojnë atje, ata janë akoma te projekt idetë. Ajo që kërkohet nga ky hetim është nga kërkesat kryesore të protestës në shesh, ajo ka qenë kërkesa e parë. Pse janë lejuar projektet, pse është ndryshuar ligji dhe me rradhë. Është çështje shumë e vështirë nga ato që SPAK ka treguar se ka patur nevojë për burime njerëzore. Nuk ka sektor të mirëfilltë që merret me këto krime. Në këtë natyrë krimi nuk kemi burime njerëzore mjaftueshme për ti kryer. Sepse këto duhen kryer edhe shpejtë. Po e çove për kohë të gjatë humbet thelbin dhe u jep mundësi personave të fshehin gjurmët, të tjetërsojnë dokumentacionin. Është hetim që duhet të bëhet shpejt. Pavarësisht se në qendër të kësaj qëndron Rama, SPAK nuk ka regjistruar asnjë emër. Ramën nuk kam parë as te lista e personave që do të thërrasin në afat-shkurtër”,- tha Hoxha.












