Haradinaj: Dështimi i rikthimit të B1 në funksion, mundësi për “mafinë energjetike”

Daut Haradinaj nga Aleanca ka deklaruar se Blloku B1 i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nuk pritet të rikthehet në funksion as në fund të këtij viti, duke paralajmëruar se vendi do të detyrohet të blejë energji elektrike nga jashtë.
Duke folur në Debat Plus në TV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se, sipas informatave që ka, projekti për riparimin e kësaj njësie nuk ka përparuar dhe se rikthimi i saj në funksion nuk pritet as më 31 dhjetor, e as në janar.
Ai ka vlerësuar se kjo situatë do të përfitojë tregtarët e energjisë, ndërsa koston e blerjes së energjisë elektrike do ta bartin qytetarët e Kosovës.
“E kanë pas për detyrën të përfundojë me datën 30 nëntor dhe siç duket nuk është as për afërmi. Dhe sa kam informata unë, ky projekt as që ka filluar, dhe nuk pritet të ndodh as me 31 dhjetor e as në janar. Kështu që Kosova do të blejë rrymë dhe kryesisht është lajm i mirë për ata që e kemi quajtur mafi energjetike ballkanike, se i kanë fërkuar duart që do t’i shesin Kosovës rrymë edhe për 200-300 milionë euro shtesë dhe qytetari i Kosovës do ta paguajë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka pranuar se Blloku B1 nuk do të rikthehet në funksion brenda afatit të paraparë. Ajo ka thënë se përgjegjësia për vonesat i takon kontraktorit të projektit, ndërsa ka theksuar se Bashkimi Evropian është autoriteti kontraktues dhe financues i tij.
Sipas Rizvanollit, afati kontraktual për përfundimin e punimeve ishte 25 nëntori, ndërsa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian, kontraktori dhe kompania mbikëqyrëse që të ndërmarrin masa për përfundimin sa më të shpejtë të punimeve.

































