Duke komentuar protestat e vazhdueshme kundër qeverisë së tij, kryeministri Edi Rama thotë nga Parisi se protestat nisën kundër projektit të Jared Kushner dhe më vonë, numri i protestuesve ra, duke u përshkallëzuar gjatë muajit tetor.

Ai e konsideron komplekse situatën në mbarë Evropën, duke i transferon kërkesat e protestuesve te bota e mediave sociale.

“Është një situatë komplekse në mbarë Europën që në fakt do ta përkufizoja dhe si përplasje midis botës reale dhe botës së medias sociale, prej nga ku shumë të rinj marrin informacionin apo edhe dizinformacionin apo të dyja e po kështu edhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë bashkëbisedimit “Europe’s Shared Future: Enlargement and the Next Generation”, kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri, Rama u shpreh se ka një numër kompleks arsyesh që i nxitin veçanërisht të rinjtë për të protestuar, duke theksuar edhe në këtë bashkëbisedimet financimet e protestuesve nga grupe kriminale.

“Ka një mori gjërash që janë njësoj si një tenxhere ku zien gjithçka nga shqetësimi i përgjithshëm për mjedisin, te gjepura antisemite të ushqyera apo të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, konkretisht Republika Khomeiniste e Iranit a gjithashtu edhe partitë të opozitës të mëdha apo të vogla, së fundi nuk fshihen dhe aq pas fëmijëve apo të rinjve të radikalizuar me këto iluzionet e Antifas e më tej nga njerëz të cilët kanë shqetësimet e tyre, shqetësime legjitime për koston e jetesës deri te njerëz që janë sjellë e paguar nga krimi i organizuar. Kështu që është shumë komplekse”, tha Rama.

Rama deklaroi se Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit në fund të vitit 2027, por vetëm nëse procesi ecën sipas planit. Për anëtarësimin e plotë, ai nuk dha një garanci, duke theksuar se vendimmarrja nuk është vetëm në duart e qeverisë shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: