Erion Veliaj nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në Asamblenë e Partisë Socialiste. Edhe nëse merr miratimin e SPAK për të komunikuar me forumin e partisë, kryebashkiaku i Tiranës duhet të përballet me një tjetër vendimmarrje brenda strukturave socialiste.
Këtë e bëri të qartë sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, në një intervistë për Klan News. Ai sqaroi se kërkesa e Veliajt duhet të shqyrtohet fillimisht nga organet e drejtësisë, për të parë nëse ekziston mundësia që ai të marrë pjesë në mbledhje, qoftë edhe përmes një lidhjeje me video.
Klosi shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse PS do ta pranonte kryebashkiakun në Asamble në rast se SPAK do t’i jepte leje. Sipas tij, pasi të shprehen organet e drejtësisë, do të jetë radha e strukturave të partisë të vlerësojnë situatën.
Gjatë intervistës, sekretari i Përgjithshëm i PS-së u rikthye edhe te qëndrimi i socialistëve ndaj masës së paraburgimit të Veliajt. Ai tha se partia e ka kundërshtuar që në fillim izolimin e kryebashkiakut, duke argumentuar se Tirana ka nevojë për një drejtues në detyrë.
“Do ta gjykojmë pasi të jenë organet e drejtësisë që të vendosin. Ato e kanë krijuar këtë ngërç, nuk e kanë krijuar organet e partisë”, deklaroi Klosi, duke lënë të hapur mundësinë që edhe pas përgjigjes së SPAK të ketë një vendimmarrje politike.
Çështja merr vëmendje edhe për shkak të përplasjes së fundit publike mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama. Nga qelia e paraburgimit në Fier, ku u transferua javët e fundit, kryebashkiaku ka drejtuar akuza ndaj kreut të qeverisë, duke e bërë atë përgjegjës për situatën e tij.






