Kush po hetohet për “The Albanian Files”? Hoxha: SPAK nuk ka regjistruar asnjë emër

Pranimi nga SPAK i kallëzimit për “The Albanian Files” ishte tema e diskutimit këtë të martë në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
I ftuar në studio, gazetari Artan Hoxha tha se ka filluar një hetim mbi këtë dosje, por pa një emër konkret.
I pyetur nga moderatori Rakipi nëse po hetohet kryeministri Rama, Hoxha tha se aktualisht SPAK nuk ka të regjistruar asnjë emër.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Çfarë është kallëzimi i depozituar në SPAK?
Hoxha: SPAK ka pranuar që ka filluar një hetim, por në praktikën e SPAK-ut bëhen disa bashkime referimesh. Edhe në rastin konkret kanë bashkuar një kallëzim të bërë në gusht të vitit të kaluar dhe hetimit që është regjistruar vjet i është regjistruar edhe një kallëzim tjetër i 10 shtatorit të këtij viti.
SPAK ka bërë hetime, duke sekuestruar dosje projektesh, 523 projekte. Nuk janë zbatuar të 523. Ndërkohë, kanë shkuar edhe në zyrat e Këshillit Kombëtar të Territorit, aty janë marrë dosjet dhe vendimet e kaluara nga qeveria. Vetëm kontrolli i 252 vendimeve kërkon një kohë goxha të madhe.
Çështja ka filluar, por nuk ka emra konkretë. SPAK ka bërë hetime edhe për vite të tëra pa i referuar emrat. Emrat i referon pak para se të shkojnë në GJKKO.
Të dyja kallëzimet kërkojnë nga SPAK hetim për shpërdorim detyre, korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal.
Rakipi: Kush janë kallëzuesit?
Hoxha: Ata vitin e kaluar ishin aktivistë, këtë vit janë edhe përfaqësues politikë. Ajo që është objekt i hetimit janë edhe projektet e mëdha, nga Zvërneci, Rrjolli, projekti tjetër i Divjakë-Karavastasë. Është kërkuar të shikohet pse janë bërë disa ndryshime në ligj për të lejuar pajisjen me statusin e investitorit strategjik për disa kompani.
Janë kërkuar edhe dëshmitë e arkitektëve, si kanë kaluar ato projekte nga ideja deri në fazën e zbatimit. Për të parë kush janë financuesit, kush janë zbatuesit dhe kush janë zyrtarët që kanë firmosur për komplekset që shohim në bregdetet e jugut.
Hetimi është në fazë fillestare. SPAK e ka pranuar si kallëzim, por është pa autor akoma.
Rakipi: Është interpretuar se SPAK po heton Edi Ramën.
Hoxha: Jo Edi Ramën, por nuk ka asnjë emër.




